TIRANE- Për 2 orë me radhë 2 oficerë të policisë greke dhe një përfaqësues i Ambasadës, kanë marrë në pyetje 27-vjeçarin Ilir Kupa, ku i kanë kërkuar t’i ndihmonte në zbërthimin e skemës së arratisjes nga burgu i Trikallasë.

Përveç marrjes së informacionit rreth organizimit të largimit të 11 shqiptarëve, marsin e vitit të kaluar, oficerët grekë u interesuan edhe për 2 vrasje të shtetasve të tyre, një polici dhe një vajze, ngjarje që pasuar serinë e gjatë të krimeve që ata kryen pasi u arratisën. Hetuesit Grekë gjatë marrjen në pyetje të Kupës, u interesuan dhe për bashkëpunimin e Alket Rizait me shqiptarët e arratisur.

Ndërkaq, pritet që autoritet greke të kërkojnë ekstradimin e Kupës, 27-vjeçarit që u arrestua në të gdhirë të së shtunës në një operacion të policisë së Tiranës, ku vetë ai ka qëlluar me armë ndaj uniformave blu. Vendndodhja e Kupës u zbulua nga kthimi i të shoqes nga Greqia për në Shqipëri, rreth 10 ditë më parë, mirëpo edhe vetë kryepolici grek kur erdhi në Tiranë, ua përcolli tanëve informacionin se Kupa ndodhej brenda territorit të shtetit shqiptar, pasi mundi t’i ikte ndjekjes së forcave speciale, aksion që u kushtroi grekëve 1 milionë euro.

GRABITJE E BANKËS
Grabitja e një banke greke, ku u morën 1 milionë euro, ishte një tjetër pjesë që u interesoi oficerëve grekë, që kërkonin detaje rreth gjithë ngjarjes që tronditi opinionin publik grek. Ndërkaq, burime të sigurta pranë Policisë së Tiranës thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se për rreth 2 orë paraditen e djeshme oficerët grekë mundën të merrnin informacion rreth ngjarjeve në Greqi. Fillimisht Kupa u tregua i gatshëm të pranonte grabitjen e 24 dhjetorit nga 4 persona të veshur si babagjyshë krishlindjesh, në TEG, vetëm për të mos u ekstraduar në Greqi. Ai akuzohet edhe për vrasjen e një polici dhe pjesmarrjen në vrasjen e një vajze greke.

Drejtësia e shtetit fqinj e kërkon edhe për arratisje nga burgu, grabitje të tjera, pengmarrje dhe përhapje terrori. Kupa ishte një nga 11 të arratisurit nga burgu i Trikalasë në Greqi, të cilët u përfshinë në një seri grabitjesh dhe ngjarjesh kriminale. Ai akuzohet si bashkëautor në ngjarjet e qershorit të vitit të kaluar ku u vra një 25-vjeçare dhe një polic grek.

FATURA 1 MLN EURO
Autoritet greke ndërmorën një operacion që kushtoi 1 milion euro për kapjen e tyre, dhe në përplasjet me armë mbetën të vrarë të arratisur Marian Kola si dhe Edison dhe Ermal Lika, ndërsa Kupa arriti të hynte dhe të strehohej në territorin shqiptar.

Paraditen e sotme pritet që gjykata e Tiranës të japë masën e arrestit për Ilir Kupën, për të shtënat me armë ndaj policisë dhe armët e sekuestruara.

Nga ana tjetër, një prej dilemave të kësaj serie të gjatë arratisjesh, grabitjesh dhe misteresh, mbetet implikimi i Alket Rizait në këtë histori, shqiptarit më të famshëm për momentin në realitetet e dosjeve policore apo të drejtësisë greke.

POLICIA GREKE: “ILIR KUPA DO EKSTRADOHET NË GREQI”
Sipas agjencisë greke të lajmeve ”ANA-MPA”, ekspertë policorë grekë, që po bashkepunojnë ngushtë me homologët e tyre shqiptarë, do të kontrollojnë vendin ku qëndronte i fshehur i arratisuri Ilir Kupa, ndërsa do të marrin edhe atë vetë në pyetje, me qëllim që të zbardhin arratisjen e tij nga burgu i Trikalas.

Autoritetet greke synojnë të mësojnë se cilët e organizuan arratisjen, cilët marrnin pjesë në organizmin dhe sidomos të gjejnë të dhëna lidhur me rrjetet që ekzistojnë brenda dhe jashtë burgjeve, si dhe bashkëpunëtorët e të arratisurve. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Greke ka bërë të ditur me anë të një komunikate, se kanë filluar procedurat për ekstradimin e Ilir Kupës në Greqi, në zbatim të urdhërit ndërkombëtar të arrestit që ishte lëshuar.
 
Shkrimi u publikua sot (28.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)