Ambasada Shqiptare në Shkup thotë se nuk komenton deklarata publike të vendit, referuar asaj të zv.kryeminisrit Alexandar Nikolovski, i cili në foltoren e parlamentit tha se ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, është një i burgosur politik ndërsa kryeministri Rama pasardhës i diktatorit Enver Hoxha.
Sakaq, në shkrimin e Ambasadës thuhet se funksionarët publikë mbajnë përgjegjësi direkte për deklaratat e tyre dhe se “duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin që deklarimet e tyre mund të kenë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe në klimën e bashkëpunimit”.
“Ambasada ndjek me vëmendje dhe analizon çdo zhvillim me interes në vendin ku është e akredituar, por ka një qëndrim të qartë dhe të qëndrueshëm: nuk përfshihet në debatet e brendshme politike të vendit pritës. Ne besojmë se diskutimet e brendshme politike duhet të zhvillohen mbi bazën e përgjegjësisë institucionale, në një frymë konstruktive dhe pa referenca ndaj vendeve të treta apo drejtuesve të tyre.
Marrëdhëniet tona me Maqedoninë e Veriut, një vend mik dhe aleat i rëndësishëm, mbeten të forta dhe ndërtohen mbi respekt reciprok, mirëkuptim dhe një frymë të qëndrueshme bashkëpunimi. Çdokush mban përgjegjësi për deklaratat e tij; në mënyrë të veçantë, funksionarët publikë, për shkak të rolit dhe përgjegjësive që mbartin, duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin që deklarimet e tyre mund të kenë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe në klimën e bashkëpunimit”, thotë Ambasada.
Gjatë një seance plenare në kuvendin maqedonas, Nikolovski ka kritikuar opozitën për afrimin me kryeministrin Edi Rama. Nikolovski, i cili është një prej figurave më të rëndësishme të VMRO-DPMNE, partia e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, është gjithashtu një njeri i afërt i kryetarit të Partisë së Lirisë, por edhe një aleat besnik i kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Ish-presidenti Ilir Meta ka marrë disa herë mesazhe mbështetje nga funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së, dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut ka bërë thirrje për të votuar partinë e ish-kryeministrit Gruevski.
Komente












