Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka thirrur sot në burgun 313 mbrojtësin e tij ligjor, avokatin Kujtim Cakrani dhe i ka kërkuar t'i bëjë kërkesë prokurorit të SPAK, Alfred Shehu, për t'u pyetur si person që ka dijeni për rrethana dhe fakte lidhur me "21 Janarin", protestë në të cilën armët e shtetit vranë 4 protestues.

Më 21 Janar 2011, Meta ka qenë zëvendëskryeministër në qeverinë e Sali Berishës. 

Hetimet për krimin shtetëror të 21 janarit nisën nga SPAK korrikun e vitit të kaluar, pas regjistrimit për veprat penale të vrasjes në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë.

Dosja 21 janari

SPAK po heton ngjarjen që sistemi i vjetër e drejtësisë e gjykoi si “vrasje nga pakujdesia”. Insistimi i familjarëve të Aleks Nikës, viktima e vetme pa autor, bëri që dosja të rikthehej në vëmendje.Ishte Gjykata e Strasburgut që e cilësoi 21 Janarin krim shtetëror dhe në vazhdë të këtij vendimi, Gjykata e Lartë më 12 mars 2024 urdhëroi SPAK të nisë hetimet dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë, përfshirë Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin, për vrasjen e katër protestuesve Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Fillimisht, Prokuroria e Tiranës çoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë. Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.

Meta ndodhet në burg që prej tetorit 2024. Ai akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe 3 të tjerë.