TIRANË- “Kosova ishte djepi i dhembjes së madhe, ishte vendi që u përball me krimet më të egra të pas Luftës së Dytë Botërore, por kjo është një arsye më shumë, që ajo sot dhe nesër të jetë një shtet evropian”.

Kështu është shprehur mes të tjerave kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në një letër urimi, që i ka dërguar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me rastin e 6-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Shpreh bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve tona do të vazhdojnë të jenë intesive, në interes reciprok dhe të paqes dhe sigurisë së të gjithë rajonit. Tirana dhe Prishtina, por dhe gjithë rajoni ynë, janë përcaktuar qartë dhe me vendosmëri për rrugën evropiane, të bindura se ajo është e nesërmja e tyre”, ka thënë Meta.

“Kam kënaqësinë e thellë t’Ju përcjell Juve dhe nëpërmjet Jush, gjithë qytetarëve të Kosovës, urimet më të nxehta për Përvjetorin e Gjashtë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.Në këtë Ditë të shënuar Ju dhe të gjithë ne shqiptarët, kujtojmë me respekt dhe mirënjohje të thellë Martirët e Lirisë dhe gjithë ata puntorë të mendjes dhe të armës që mundësuan Shpalljen e Pavarësisë”, ka theksuar kryetari i Kuvendit, Meta, duke kujtuar edhe ish-presidentin Rugova e luftëtarin Adem Jashari.

“Kujtojmë Presidentin Ibrahim Rugova, luftëtarin Adem Jashari, epopenë e heronjve të UÇK-së dhe gjithë ato vuajtje dhe sakrifica sublime të të gjithë qytetarëve të Kosovës në rrugëtimin e mundimshëm drejt Lirisë dhe Pavarësisë”.
 
META: MIRËNJOHJE PËR SHBA, BE DHE NATO
Meta është shprehur me mirënjohje të veçantë “për aktorët e mëdhenj të skenës politike botërore, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britaninë e Madhe, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, pa të cilët, projekti evropian i Kosovës të lirë dhe evropiane nuk do të ishte i mundur”.

“Kosova ishte djepi i dhembjes së madhe, ishte vendi që u përball me krimet më të egra të pas Luftës së Dytë Botërore, por kjo është një arsye më shumë, që ajo sot dhe nesër të jetë një shtet evropian, ku shenjtërimi i të drejtave njerëzore, demokracia, sundimi i ligjit dhe bashkëjetesa mes etnive të ndryshme, të jenë në shkallën më të lartë”, ka vijuar më tej Ilir Meta, duke e cilësuar ditën e Pavarësisë së Kosovës, “Ditë të bekuar”.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)