Meta në Bullgari, takon homologun Radev: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë çeljen e negociatave me BE! Kosova, liberializimin e vizave

BULLGARI- Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Bullgari me ftesë të homologut të Tij, Rumen Radev. Kreu i Shtetit shqiptar zhvilloi fillimisht një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan bisedimet dypalëshe mes dy delegacioneve zyrtare respektive.

“Kjo vizitë është një tregues i qartë i partneritetit tonë dhe trendit pozitiv të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të shkëlqyer dypalësh, mes dy vendeve dhe popujve, si dhe një dëshmi e mëtejshme e angazhimit serioz të Bullgarisë në procesin integrues të Shqipërisë. Të dy vendet kanë një marrëdhënie të veçantë tradicionale, historike, kulturore dhe ekonomike.” – vuri në dukje Presidenti Meta.

Më pas të dy Krerët e Shteteve zhvilluan një konferencë të përbashkët për mediat, ku Meta vuri theksin se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të integrohen në BE, teksa ka se Kosovës duhet t'i liberalizohen vizat.

"Besoj, se do të shtojmë të gjitha përpjekjet, që të kemi një moment pozitiv për zgjerimin dhe për Shqipërinë, dhe për Maqedoninë e Veriut sa më parë, që të jetë e mundur. Ashtu sikurse është shumë i rëndësishëm, vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, nga ana e Bashkimit Europian. Këto do të ishin qasje shumë të dobishme, strategjike të BE-së, për të dhënë mesazhe premtuese, për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor, dhe  të gjithë ata, të cilët dëshirojnë t’i bashkohen këtij projekti në të ardhmen. Në radhë të parë si projekt lirie, demokracie dhe paqeje", tha Meta.

Kujtojmë që Bullgaria i ka vendosur veton Maqedonisë së Veriut, sipas të cilëve nuk kanë respektuar marrëveshjen e fqinjësisë të nënshkruar në 2017 ndërsa politika shtetërore maqedonase, sipas tyre,  bazohet në urrejtje, vjedhje të historisë dhe mohim të gjuhës Bullgare.

Fjala e plotë e presidentit Ilir Meta
I dashur President Radev, Shumë faleminderit për mikpritjen shumë të ngrohtë, si edhe për mesazhet tuaja mbështetëse dhe inkurajuese, për forcimin e mëtejshëm të miqësisë historike midis dy vendeve tona, si edhe për mbështetjen e pakushtëzuar të Bullgarisë, lidhur me perspektivën europiane të Shqipërisë

Ju falenderoj gjithashtu për të gjithë vullnetin dhe angazhimin personal dhe të vendit tuaj, për t’i dhënë një energji të re të gjitha raporteve tona bilaterale, bashkëpunimit në të gjitha nivelet e tjera,  edhe si anëtare të NATO-s, por dhe në të gjitha forumet ndërkombëtare, si dy vende të angazhuara dhe të përkushtuara për paqen dhe për sigurinë. Jam i lumtur që  ndodhem në Sofje dhe t’ju kthej vizitën tuaj, që ju realizuat në vendin tim, pas goditjes që pësuam nga tërmeti në nëntor 2019.

Vizita dhe solidariteti juaj, duke vizituar personalisht zonat e dëmtuara dhe banorët më kanë prekur shumë. Njëkohësisht ndihma e vendit tuaj me grupin e ekspertëve në ato momente dramatike, ka qenë shumë e vlefshme për ne. Dhe përsëri dëshiroj t’ju falënderoj që në momente të vështira, ju na jeni gjendur pranë si miq të veçantë. Sofja për mua dhe për të gjithë shqiptarët është një kryeqytet shumë i dashur, sepse ka qenë “shtëpia” e shumë prej udhëheqësve dhe figurave më të ndritura të Rilindjes sonë Kombëtare, një vatër shumë e ngrohtë politike dhe kulturore ku u frymëzuan lëvizjet patriotike për Lirinë dhe Pavarësinë e Shqipërisë.

Marrëdhëniet midis dy vendeve dhe dy popujve  kanë qenë gjithmonë shumë miqësore dhe shumë mirëkuptuese. Një pjesë e mirë e elitës shqiptare është shkolluar në Sofje dhe ka dhënë një kontribut shumë të madh, në zhvillimin e vendit tonë në të kaluarën. Edhe gjatë këtyre dekadave të fundit, kemi qindra studentë dhe studente nga Shqipëria, që kanë studiuar këtu. Ka edhe shumë të rinj që vijojnë të studiojnë në Bullgari, dhe kjo është një bazë shumë e mirë për marrëdhëniet tona në të ardhmen. Kemi kaluar kohë të vështira, për shkak të pandemisë, që ende nuk ka përfunduar dhe për shkak të zhvillimeve të papritura që kanë ndodhur, sikurse është për fat të keq, agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës.

Ndaj, është me shumë rëndësi të intensifikojmë më tej bashkëpunimin dhe dialogun me njëri-tjetrin, si dhe të forcojmë partneritetin dhe solidaritetin tonë, si asnjëherë tjetër. Jam krenar që bashkëpunimi me ju, bashkëpunimi midis qeverive dhe autoriteteve tona, është shumë i ngushtë në të gjitha drejtimet, veçanërisht në drejtimin e sigurisë, përfshi në kuadër të nismave të përbashkëta dhe angazhimeve shtesë që kemi marrë në kuadër të Aleancës. Përshëndesim të gjitha përpjekjet që vendi juaj bën, si një vend shumë i rëndësishëm i NATO-s. Ne jemi më pranë Bullgarisë si asnjëherë tjetër, edhe në këtë aspekt.

Natyrisht, që përveç problemit të sigurisë, kemi dhe rrezikun që i kanoset sistemit të vlerave tona, të vlerave të paqes, të bashkëjetesës dhe të demokracisë, që ndajmë si anëtarë në NATO-s, por edhe si dy vende partnere, njëri anëtar i BE-së dhe Shqipëria si vend që dëshiron të anëtarësohet sa më parë në Bashkimin Europian. Sikundër edhe ju u shprehët me të drejtë, ne jemi në mbështetje të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dënojmë krimet barbare me të cilat jemi njohur të gjithë, dhe për të cilat kërkohet hetim ndërkombëtar dhe jemi për një ndërprerje të menjëhershme të këtij  agresioni, por dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve, përmes dialogut dhe  marrëveshjes. Njëkohësisht jemi më të angazhuar se kurrë, për të treguar përkushtimin tonë, ndaj demokracisë dhe ndaj perspektivës më të fortë europiane dhe euro-atlantike të kontinentit tonë.

Në këtë drejtim, stabiliteti dhe perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor, është shumë e rëndësishme për ne, por jam i sigurt është shumë e rëndësishme edhe për Bashkimin Europian dhe për vetë Bullgarinë, si vend anëtar i BE-së, që ka qenë i angazhuar për progresin e të gjithë rajonit tonë. Në mënyrë që të japim mesazhe optimiste, për vazhdimësinë e projektit të zgjerimit të Bashkimit Europian, do të donim shumë dhe do të bënim çdo përpjekje, për miratimin e kuadrit negociator për Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut nga ana e Bashkimit Evropian, sa më parë. Unë, falënderoj Presidentin Radev dhe Qeverinë e Bullgarisë, për mbështetjen që i japin perspektivës së Shqipërisë. Besoj, se do të shtojmë të gjitha përpjekjet, që të kemi një moment pozitiv për zgjerimin dhe për Shqipërinë, dhe për Maqedoninë e Veriut sa më parë, që të jetë e mundur. Ashtu sikurse është shumë i rëndësishëm, vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, nga ana e Bashkimit Europian.

Këto do të ishin qasje shumë të dobishme, strategjike të BE-së, për të dhënë mesazhe premtuese, për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor, dhe  të gjithë ata, të cilët dëshirojnë t’i bashkohen këtij projekti në të ardhmen. Në radhë të parë si projekt lirie, demokracie dhe paqeje. Për sa i takon bashkëpunimit tonë, jam shumë optimist, që pas vendosjes së linjës direkte ajrore midis Tiranës dhe Sofjes, do të kemi një fluks të ri të gjitha shkëmbimeve,  në të gjitha aspektet, si dhe do të arrijmë të vendosim në shfrytëzim atë potencial të madh, për të rritur shkëmbimet midis dy vendeve tona. Duke pasur në konsideratë miqësinë e fortë midis dy popujve tanë, por edhe interesat e përbashkëta ekonomike në të ardhmen. Në këtë drejtim mbetet vendimtar, përkushtimi ynë i përbashkët, së bashku me Maqedoninë e Veriut, me BE, si dhe me partnerë të tjerë të rëndësishëm, për të çuar përpara projektet që kanë të bëjnë me Korridorin 8, në të gjitha drejtimet, për më tepër sa i takon rritjes së sigurisë energjetike për vendet tona, duke pasur në konsideratë edhe situatën e re. Jam i bindur zoti President, se me lidershipin tuaj, që keni treguar edhe në këto kohë, që nuk kanë qenë të lehta, edhe për vendin tuaj, ju do të vijoni të jepni një kontribut shumë të rëndësishëm edhe në të ardhmen. Dhe vendi juaj, të jetë një shembull edhe për vendet tona, që dëshirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian.

Ne,  besojmë shumë që ju,  do të bëni të gjitha përpjekjet, së bashku edhe me Qeverinë dhe me Parlamentin, në mënyrë që në këto kohë të vështira, të kemi mesazhe optimiste dhe frymëzuese, për të ardhmen europiane të rajonit tonë. Ju, keni treguar se dini të navigoni gjithmonë me kurajë dhe me shumë mençuri.

Ju uroj dhe njëherë suksese edhe për rizgjedhjen tuaj, Jam i bindur, se ky do të jetë një kontribut për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera historike, midis dy vendeve tona. Besoj shumë tek përkushtimi,  angazhimi dhe miqësia juaj e sinqertë. Faleminderit!

K.T./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Meta gollo: 05/04/2022 17:20

    Per cfare vajti ky presdhjeri ne bullgari, te bej edhe skrapaleshet gollo, qe te marrin pasaporta bullgare te punesohen ne Europe e likja te bej hidrocentrale rehat ne skrapar? Hahaha, sa qesharak qe eshte bere, bredh ku te fitoj flori,euro e dollar, se lekun nuk e preferon fshatari i cepanit dhe ajo shemtira nga fsharat e dibres.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni