Ilir Meta nuk do të kandidojë
për President të Republikës

Ilir Meta nuk do të kandidojë<br />për President të Republikës
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, përjashton mundësinë e kandidimit për postin e Presidentit të Republikës.

Meta ka deklaruar se në 19 Qershor 2017 do të jetë kryetar i LSI, duke nënkuptuar se nuk ka ambicie dhe synim për postin e kreut të shtetit, pasi Presidenti i ri zgjidhjet para zgjedhjeve parlamentare.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit vijon të mos ketë një përgjigje sa i takon fatit të koalicionit me Partinë Socialiste.

Edhe pse Rama ka ftuar publikisht LSI për vijimin e aleancës edhe për një mandat tjetër, Meta ka deklaruar ne opinion se LSI do të vijojë të respektojë marrëveshjen me PS, por pa konfirmuar fatin e koalicionit, për llogari të zgjedhjeve të 18 Qershorit.
 
-Si ka qenë viti 2016 për ju? Gjithmonë është momenti në një kohë të tillë që të bëhet një bilanc për vitin. A ka qenë 2016-ta një vit i mirë?
 
Ka qenë një vit interesant, i veçantë në shumë aspekte, një vit me sfida.
 
-Cilat kanë qenë momentet më të vështira të 2016-s për ju apo momentet kur jeni ndjerë më në siklet ose në një lloj sfide?
 
Nga ana politike për shkak të angazhimit, sigurisht që momenti më i vështirë dhe më i mirë ka ndodhur në më pak se 24 orë. Pra, nga mbrëmja e 20 korrikut në të gdhirë të 21 korrikut e deri pasditen e 21 korrikut për të shkuar te mesnata, momenti kulminant i reformës në drejtësi.
 
-Dua t’ju bëj një pyetje krejt personale, drejtoni çdo të enjte një seancë tmerrësisht konfliktuale, tmerrësisht të vështirë, tmerrësisht të lodhshme në Parlament. Nuk ndiheni vetë gati-gati i neveritur nga ajo që shihni aty?
 
Ndihem i keqardhur, për arsye se shterojnë energji pa kuptim dhe në më të shumtën e kohës nuk flitet për përmbajtjen e ligjeve që mund të ishte më me interes, por shpresoj shumë që Parlamenti i ardhshëm të jetë shumë më cilësor se sa aktuali...
 
-Si e keni vendosur në 2017, të paktën në parashikimet tuaja, do të vazhdoni të qëndroni “i martuar” me Ramën apo do të “rimartoheni” djathtas, siç thoshte kryeministri?
 
Unë martesën politike nuk e njoh si koncept. Njoh marrëveshjen.
 
-E paska gabim kryeministri atëherë kur mendon që ke qenë i martuar djathtas. Kjo është edhe më e rëndë që Kryeministri nuk e ka ditur që paskeni qenë i pamartuar dhe ju ka marrë për ish-të martuar...
 
Në këtë drejtim unë gjithmonë i kam qëndruar marrëveshjeve dhe i qëndroj marrëveshjeve, sepse vetë politika është një marrëveshje dhe funksionon në këtë mënyrë. Dhe për sa i takon vendimeve që ju kërkoni të merrni përpara Vitit të Ri, ato janë vendime që do t’i takojnë vitit 2017 dhe kurrsesi nuk do të jenë personale.
 
-Megjithëse ka shumë komentatorë që thonë se martesa juaj me Ramën është një martesë që nuk prishet dot, që nuk parashikon divorcin. Të paktën në këto zgjedhje...
 
Nuk kam ndërmend ta nis vitin e ardhshëm me paragjykime. Përkundrazi, por besoj që do të keni në çdo rast vendime të pjekura dhe të përgjegjshme të LSI-së, jo thjesht të miat.
 
-Si shpjegohet që ju po tentoni të mbani një pozicion disi ndryshe nga mazhoranca. Pra duke qenë pak më tolerant me opozitën dhe më i moderuar në qëndrimet tuaja sesa Rama? Janë vendimet tuaja apo i keni kalkuluar me z. Rama?
 
Nëse Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbante qëndrime identike me Partinë Socialiste, nuk do të ishte e nevojshme dhe as e domosdoshme të ekzistonte si forcë politike më vete. Fakti që këtu gjithmonë ekziston një paragjykim, që mendoj që është produkti i politikës konfliktuale të krijuar ose të mbajtur artificialisht, se ndoshta fillimisht konflikti ishte i fortë, sepse erdhi pas një tranzicioni mjaft të dhimbshëm, por tani artificialiteti është i dukshëm, nuk është një konflikt i natyrshëm dhe real. Absolutisht që LSI-ja dallon që nuk bëhet pjesë e konfliktit. Pra mund të mbajë qëndrim plotësisht në mbështetje të një qëndrimi të PS-së, kur mendon që ky është një qëndrim i drejtë, i argumentuar. Mund të mbajë edhe një qëndrim po themi shumë më pranë PD-së apo opozitës, kur mendon që ky është një qëndrim i drejtë, por një gjë mund ta them me bindje që të gjitha qëndrimet e LSI-së janë në përputhje të plotë me marrëveshjen që LSI-ja ka nënshkruar me PS, në Shkodër.
 
 -Z. Meta kam qenë shumë kurioz herë pas herë. Ju keni pasur edhe një marrëveshje me PD. Nuk mbaj mend as të darkonit një herë në javë me z. Berisha, as të takoheshit një herë në javë në zyrë. Ndërkohë që shoh z. Rama që vjen herë në këmbë, herë me duar në xhepa nga Kryeministria në Kuvend për t’ju takuar. Është folur shpeshherë që ju darkoni në atë që po e quaj “prive”-në e Kryeministrit në Kryeministri. Si janë raportet tuaja personale me z. Rama?
 
Raportet e mia personale janë shumë të mira me të gjithë.
 
-A po qenë aq të mira sa me të gjithë e kuptoj.... Konkretisht me z. Rama?
 
Raporti im me z. Berisha, ndryshe nga ç’kam menduar dhe unë ka qenë shumë më i mirë se ç’kanë menduar shumë të tjerë se sa pritej, për arsye sepse ka qenë një koalicion risi, në kushte të vështira. Por që ka qenë i domosdoshëm për rrethanat kur përfunduan zgjedhjet e vitit 2009 dhe padyshim që me z. Berisha jemi takuar vazhdimisht. Por ndoshta nuk binte në sy se unë nuk isha Kryetar Kuvendi që ai të vinte këtu apo unë të shkoja atje.
 
-Kush ka qenë partneri më i mirë? E di që është e vështirë, por është e sinqertë. Edhe si partner më i thjeshtë për të komunikukar? Kështu është kur ke dy martesa dhe nuk thua dot cila ka qenë më e mira...
 
Çdo partner ka veçantitë e tij. Unë marrëveshjet nuk i shikoj si raporte personale. Ato mund të jenë më të mira me dikë, më pak të mira me dikë tjetër. Ato janë detyrime, sepse bëhen në emër të një force politike dhe janë përgjegjësi të rëndësishme, sepse janë në raport me qytetarët.
 
-Në këtë vit, pra në 2017-n pritet të zgjedhjet dhe Presidenti i Republikës. Nga ky parlament do të zgjidhet Presidenti z. Meta?
 
Kjo është një çështje tekniko-juridike. Por është e qartë që Presidenti normalisht do të zgjidhet nga ky parlament. Parlamenti i ri normalisht duhet të mblidhet në shtator.
 
-A do të jeni ju Presidenti i ri i Republikës? A ka një marrëveshje me Ramën që ju të merrni postin e Presidentit?
Unë jam i bindur që do të vazhdoj të jem dhe më 19 qershor Kryetar i LSI-së.
 
-Edhe në 19 qershor do të vazhdoni të jeni Kryetar i LSI-së?
 
Po, një ditë pas zgjedhjeve. Patjetër, sepse besoj se rezultati i LSI-së do të jetë një rezultat pozitiv edhe unë do të kem të drejtën morale të vazhdoj ta drejtoj këtë forcë politike.
 
-Si do të jetë profili i Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë sipas jush? Duhet të jetë fryt i një marrëveshje të gjerë apo një zgjedhje ekskluzive e maxhorancës? Z. Rama më ka thënë: është e drejta jonë për ta zgjedhur dhe nuk negociojmë me njeri. Ju si mendoni?
 
Është tepër herët për të folur për këtë çështje. Në çdo rast Presidenti i vendit duhet të jetë një njeri me integritet ehe që të garantojë një komunikim sa më gjithëpërfshirës.
 
-Mendoni që rezultati i LSI-së do e çojë Shqipërinë në një politikë tripolare të konsoliduar, siç po flitet herë pas here?
 
Unë mendoj që LSI-ja do të rrisë kontributin e saj për stabilizimin e vendit nga të gjitha pikëpamjet: politike, institucionale, ekonomike. Cili do të jetë roli i LSI, kjo do të vendoset nga LSI-ja, por mbi të gjitha nga qytetarët shqiptar. Ata do të vendosin rolin e gjithsecilit.
 
Për Presidentin
“Unë jam i bindur që do të vazhdoj të jem dhe më 19 qershor Kryetar i LSI-së. Po, një ditë pas zgjedhjeve. Patjetër, sepse besoj se rezultati i LSI-së do të jetë një rezultat pozitiv edhe unë do të kem të drejtën morale të vazhdoj ta drejtoj këtë forcë politike”.
 
Zgjedhjet
“Unë mendoj që LSI-ja do të rrisë kontributin e saj për stabilizimin e vendit nga të gjitha pikëpamjet: politike, institucionale, ekonomike. Cili do të jetë roli i LSI, kjo do të vendoset nga LSI-ja, por mbi të gjitha nga qytetarët shqiptar”.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Furgoni i udhëtarëve karambolohet me kamionin në Pogradec, plagosen 2 pasagjerë! Një i lënduar dhe pas përplasjes së veturës me eskavatorin në Cërrik

Furgoni i udhëtarëve karambolohet me kamionin në Pogradec, plagosen 2 pasagjerë! Një i lënduar dhe pas përplasjes së veturës me eskavatorin në Cërrik