Ilir Meta takim me tre
ministrat e tij në Kuvend

Ilir Meta takim me tre<br />ministrat e tij në Kuvend
TIRANE- Kreu i Kuvendit, Ilir Meta është rikthyer nga pushimet e fundvitit me një axhendë intensive takimesh. Të parët që ka thirrur në zyrën e tij kanë qenë tre nga ministrat e LSI-së, ajo e integrimit, Klajda Gjosha; ai i transporteve, Edmond Haxhinasto dhe ai i drejtësisë, Ylli Manjani.

Takimi zgjati gati një orë dhe detaje të saj nuk u bënë publike nga asnjë prej të pranishmëve. I vetmi që foli për mediat në fund të këtij takimi ishte Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Ai nuk dha detaje mbi axhendën e këtij takimi ndërsa e cilësoi takimin me kryetarin e partisë si një takim rutinë. Manjani tha se ndryshimet në qeveri nuk janë në vullnetin dhe në dëshirën e tij, duke lënë të kuptohet se tema e këtij takimi nuk ishte kjo çështje. “Përsa i përket ndryshimeve ne qeveri, të jeni të bindur se kjo nuk është as në vullnetin e as në dëshirën time.

Ky është takimi i dytë për ditën e sotme me zotin Meta, kam edhe të tjera. Biseda ishte rutinë, nuk ka asgjë për t'u emetuar si lajm në atë drejtim”, tha Manjani. Ky takim vjen ndërkohë që në diskutimet mediatike dhe të opinionistëve janë rihedhur në diskutim ndryshimet e mundshme në qeveri.


Dhe pse këto ndryshime nuk janë konfirmuar nga dy partitë kryesore politike, tezë e hedhur në “tregun e opinionit publik” është ajo e ndryshimeve të 4 ministrave socialistë dhe 3 të LSI-së. Këto zëra qenë të forta edhe gjatë verës, por vetëm një ndryshim u bë në kabinet, ai i ministrit Naço me atë Manjani, të dy brenda të njëjtës parti për Ministrinë e Drejtësisë. Në përfundim të takimit me tre ministrat aktualë, në zyrën e Ilir Metës në Kryesinë e Kuvendit, mbërriti ish-ministri i drejtësisë, Nasip Naço, i cili ka zhvilluar po ashtu një takim me kreun e partisë së tij.

Takimi i Metës me ministrat e tij, erdhi ndërkohë që kryeministri Rama ndodhet në SHBA, në një vizitë tre ditore, vizitë e cila sipas zyrës së shtypit të qeverisë, bëhet për arsye familjare. Në këtë mënyrë, dita e sotme nuk do të shënojë takimin e përjavshëm të së mërkurës mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Takimi i radhës pritet të zhvillohet ditën e premte, ku njësia për koordinimin e koalicionit, ku merr pjesë Rama dhe Meta, së bashku me krerët e grupeve përkatëse parlamentare, Ruçi dhe Vasili, e disa ministra e deputetë sipas tematikës së takimit. Edhe këtë të premte, pritet që në fokus të takimit të jetë reforma në drejtësi, për të cilën po punohet me intensitet nga ekspertët partiakë, si dhe vijimi i punës për reformën zgjedhore.

Ndërkohë Kuvendi aktualisht është në pushimin ndërmjet sesioneve parlamentare, dhe nuk po zhvillon aktivitete ligjvënëse, për të vijuar më 18 janar me çeljen e sesionit parlamentar, që sipas rregullores së Kuvendit, fillon të hënën e tretë të janarit. Ky sesion parlamentar do të jetë i rëndësishëm për tre sfida të mëdha. Së pari do të përmbyllet kryereforma e kësaj mazhorancë, që është reforma në drejtësi, për të cilën është angazhuar jo vetëm politika, por edhe gjithë trupa diplomatike në vend. Po ashtu, pritet të jetësohet ligji i miratuar i dekriminalizimit, aktet nënligjore të të cilit do të miratohen këtë vit, për të mundësuar zbatimin e tij. Sfidë jo më pak e rëndësishme është edhe reforma zgjedhore. 

 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Pesha e padurueshme e diktaturave! Kur të zhveshurit ishim ne!

Pesha e padurueshme e diktaturave! Kur të zhveshurit ishim ne!