TIRANE - Kreu i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) Ilir Meta, realizoi sot një takim me Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore, Jonathan Moore, i cili gjendet në kryeqytet për një vizitë disa ditore. Diskutimi i tyre u përqendrua te procesi i integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, me fokus zhvillimet e brendshme politike në vend në përgatitjet për fushatën elektorale të vitit të ardhshëm si dhe në politikën rajonale të vendit.

Kreu i LSI-së u shpreh i zhgënjyer për “bllokimin artificial e të panevojshëm të prioriteteve të parealizuara që nevojiten për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.”

“Meta rikonfirmoi pozicionin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për një politikëbërje sa më konstruktive dhe të moderuar, brenda dhe jashtë vendit, në shërbim të interesave primare të qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se sfida kryesore e politikës shqiptare tashmë mbetet evitimi i retorikës konfliktuale dhe realizimi i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe transparente në Qershor 2013”, bëhet e ditur përmes zyrës së shtypit të LSI.

Kryetari i LSI-së “falenderoi Moore për vizitën në Tiranë si dhe për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme që SHBA i jep Shqipërisë në kuadër të forcimit të institucioneve demokratike dhe në rrugëtimin e integrimit evropian.”

Nga ana e tij, Jonathan Moore, pasi vlerësoi rolin e Shqipërisë në NATO, shprehu falenderime për mikpritjen që iu ofrua Sekretares së Shtetit znj. Hilari Klinton në Tiranë, si dhe rikonfirmoi dëshirën e SHBA për një ecuri më të shpejtë të reformave dhe për ta parë Shqipërinë një ditë në Bashkimin Evropian, atje ku vendi i saj është.

Drejtori për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore, Jonathan Moore do jetë në Tiranë në një vizitë disa ditore ndërsa pritet të realizojë takime edhe me personalitete të tjera të politikës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)