TIRANE- Personi i arrestuar për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut ilir Xhakja nuk është i panjohur për botën e krimit dhe strukturat e policisë. Edhe pse dje ishte duke shëtitur me makinë me targa dhe me xhama të zinj. Ai ka dalë nga burgu pasi i ka shpëtuar mrekullisht një dënimi me 21 vite burg.

 Ka qenë Gjykata e Apelit të Durrësit ajo që e ka çliruar atë nga akuza për vrasje dhe e ka dënuar vetëm për armët që i’u kapën në flagrancë në aksionin e vitit 2007. Në këtë vit forcat RENEA, arrestuan në plazhin e Durrësit Ilir Xhakjan, i cili ishte dënuar me 21 vite burg nga gjykata për vrasjen e Rudin Shahinit nga Katundi Sukth në Sallmone në vitin 2003. Gjykata në vendimin e saj të dënimit me 21 vite burg është shprehur se Xhakja e vrau viktimën për t’u hakmarrë pas daljes së tij nga burgu, pasi ai kishte vrarë xhaxhanë e tij, Hamdiun. Gjatë kohës së arrestimit në 2007, kur në krye të policisë së shtetit ishte Ahmet Premçi, në makinën e tij u gjendën dy automatikë kallashnikovë dhe dy pistoleta. Në kohën e arrestimit të tij, Drejtori i atëhershëm i Policisë Qarkut, N/Komisar Sokol Harapi, përmendi dhe faktin se “grupi i kryesuar nga Ilir Xhakja, u ndalua për veprat penale të vrasjes dhe kryerje të krimeve nga bandat e armatosura e organizatat kriminale”.

AKTIVITETI KRIMINAL

Policia e Shtetit dje në një deklaratë për shtyp përmblodhi ecurinë e precedenteve kriminale të Ilir Xhakjas, i datëlindjes 1974.
- në vitin 1995 është dënuar me 1 vit burgim për plagosjen e shtetasit Dashamir L.
- në vitin 1996 është akuzuar për vrasjen e shtetasve Gentian Petrit Gjoka dhe Petrit Lyti.
-në vitin 1996 është dënuar me 6 muaj burgim për kanosje serioze për jetën ndaj shtetasit Ylli M.
- më datë 15.05.2002, ka filluar procedimi për vrasje në territorin e Komunës Katund i ri Durrës.
-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e kishte dënuar me 21 vite burg në mungesë për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku.
Shtetasi Ilir Xhakja është arrestuar nga strukturat e Policisë së Shtetit më datë 06.07.2007, por më pas u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje.

IMPLIKIMET

Një raport i publikuar në vitin 2007, fillimisht në gazetën “Shekulli” dhe më pas në gjithë median, u evidentuan një sërë vrasjesh të tjera dhe lidhje të tij me një prej deputetëve të PD (aktualisht, ministër në kabinetin qeveritar Berisha). Deri në 2007, ai u kishte shpëtuar shumë operacioneve policore të strukturave të organizuara.I konsideruar si kapobanda e Shijakut, ai është akuzuar edhe për rrëmbim personi, vrasje, armëmbajtje pa leje dhe si një mjeshtër në vendosjen e eksplozivëve. Vetëm pak muaj më parë Ilir Xhakja ka dalë nga burgu. Nuk dihen rrethanat e lirimit të tij të parakohshëm, edhe pse ishte dënuar me 25 vite burg për vrasje ndërkohë që e ka vuajtur dënimin në burg vetëm për pesë vjet. Aq i fortë është autoriteti i fisit Xhakja në zonën e Sukthit, sa pasditen e djeshme asnjë nga banorët pranë zonës ku ndodhi krimi nuk guxonte as të dëgjonte interesimin e gazetarëve, ndonëse ishte e qartë se të gjithë banorët e zonës e dinin se kush ishte autori i masakrës.
(sg/shqiptarja.com)