Projektligji "Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes" i mbërritur në Kuvend do të ketë ndikim jo vetëm mbi subjekte ushtarake, por edhe civile, qofshin këto vendëse, të huaja, me ose pa shtetësi, rezidente ose jo në Republikën e Shqipërisë. Kjo përfshirje e diplomatëve rezidentë të huajë që në vendin tonë, të cilët mund të jenë subjekte civile, bëhet në rast se do të arrihet të synohet prej tyre cënimi i misionit kushtetues të Forcave të Armatosura dhe veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Ky projketligj, i propozuar nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami forcon edhe më tepër sigurinë e forcave të armatosura dhe veprimtarinë e dikasterit që ai drejton. Detyra që do të ketë Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes, mbi këto subjekte të huaja, por jo vetëm, pritet që të jetë grumbullimi, përpunimi, analizimi, administrimi dhe paraqitja e informacioneve për veprimtari të cilat kërcënojnë e rrezikojnë pavarësinë e vendit si dhe për veprimtari, që lidhen me spiunazhin, ekstremizmin, terrorizmin, sabotazhin, diversionin, subversionin në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes e të Forcave të Armatosura. Sipas draftit, Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes e ushtron veprimtarinë në përputhje me procedurat specifike të inteligjencës, të propozuara nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes dhe të miratuara me rregullore nga ministri i Mbrojtjes e prokurori i Përgjithshëm, të cilët kanë të drejtë të ushtrojnë kontroll për zbatimin e këtyre procedurave. "Këto procedura përcaktojnë: masat e grumbullimit të fshehtë të të dhënave nëpërmjet përgjimit të komunikimeve mobile dhe statike si dhe mbledhjen e të dhënave nga ndjekja dhe/ose vëzhgimi (mbikëqyrja) i personave, mjediseve dhe/ose objekteve, të përcaktuara si objektiv", thuhet në draft.

Drafti
Agjencia që propozohet të krijohet sipas draftit të paraqitur nga Ministria e Mbrojtjes, do të ketë për mision të vetin edhe kundër-inteligjencën e sigurisë së mbrojtjes. Kjo agjenci, e cila do të jetë një person, do të ketë stemën dhe flamurin e vet dhe do të jetë në varësi të ministrit të Mbrojtjes, me struktura varësie në territoret ku kryejnë veprimtarinë Forcat e Armatosura, brenda dhe jashtë vendit. Struktura, organika dhe rregullat e funksionimit të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes. Agjencia ka për mision mbështetjen e Forcave të Armatosura dhe të autoriteteve të drejtimit e të komandimit strategjik të Forcave të Armatosura me produkt inteligjence dhe kundërinteligjence për sigurinë, në nivel strategjik dhe operacional, në kohë paqeje, lufte, krize, në gjendje të jashtëzakonshme ose në fatkeqësi natyrore, si dhe identifikimin, grumbullimin dhe analizimin e informacionit për veprimtari që cenojnë pavarësinë, tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues të vendit. Punonjësit e këtij shërbimi do të jenë si ushtarakë ashtu edhe civilë, por jo më shumë se 40% e gjithë strukturës. Shërbimit inteligjent ushtarak i jepet e drejta që të rekrutojë bashkëpunëtorë jashtë tij, si dhe për të kryer detyrën e tij të marrë informacione me metoda nga më të ndryshmet, përfshi edhe ato të përgjimit, ndjekjes fizike, vëzhgimit etj.

(ad.ti/shqiptarja.com)