TIRANË - Ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka pritur sot në një takim të veçantë, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Greqisë, gjeneral Mikhail Kostarakos. Kostarakos ndodhet në Tiranë, në krye të një delegacioni të lartë ushtarakësh grekë për një vizitë zyrtare. Qëllimi i vizitës së delegacionit ushtarak grek është bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve fqinje.

Ministri i Mbrojtjes Imami ka vlerësuar ndihmën dhe përkrahjen e Forcave të Armatosura të Greqisë si dhe përkrahjen politike që Greqia i dha Shqipërisë për anëtarësimin e saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ministri Imami ka theksuar se midis dy vendeve ka raporte shumë të mira dhe shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Greqia në fushën e arsimimit të ushtarakëve Shqiptarë, gjë e cila është një nga prioritetet kryesore të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Një pikë tjetër e rëndësishme që u diskutua gjatë takimit midis Ministrit të Mbrojtjes z. Arben Imami dhe gjeneral Kostarakos, ishte edhe këmbimi i stafit akademik ushtarak dhe studentëve për kurse të formimit strategjik.

Nga ana e tij, gjeneral Mikhail Kostarakos ka falenderuar ministrin e Mbrojtjes z. Arben Imami për pritjen që i ka rezervuar si dhe ka shprehur mbështetjen e Greqisë për intensifikimin dhe thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe dy Forcave të Armatosura. Ai është shprehur i gatshëm për iniciativën e këmbimit të stafit akademik dhe studentëve ushtarakë. Një gjë e tillë u shpreh gjeneral Kostarakos, do të bëjë të mundur përmirësimin e përgatitjes në fushën e arsimimit ushtarak.

Po sot, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Greqisë, gjeneral Mikhail Kostarakos i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi ka zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)