TIRANE - Ministri i Mbrojtjes Arben Imami rezulton se ka shkelur ligjin, duke shpëndarë dhe transmetuar reklamë shtetërore në median audiovizive në periudhë të ndaluar. Ministria e Mbrojtjes, kreu i së cilës është eksponenti i lartë i Partisë Demokratike, ka bërë të mundur që reklama lidhur me forcat e armatosura të transmetohej në disa pak televizione me qendrime afatgjatë pranë qeverisë Berisha deri pak ditë para se të zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

Ndërkohë, në Kodin Zgjedhor, Neni 84, pika 10 parashikon shprehimisht që “Institucioneve publike në nivel qendror dhe vendor, 60 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, u ndalohen reklamat, me përjashtim të atyre që i shërbejnë qëllimit të ndërgjegjësimit të zgjedhësve për aspekte të procesit zgjedhor ose njoftime të tjera të parashikuara nga ligji".

Kjo normë ligjore është shtuar në nenet e mëparshme nga ana e Kuvendit të Shqipërisë më datë 19 korrik të vitit 2012 dhe është i detyruar ta zbatojë çdo nëpunës shteti, qoftë ky edhe ministër. Pra, heshtja edhe në këtë drejtim duhej të kishte filluar që më 23 prill, por Imami e ka përdorur reklamën, krëjtësisht në kundërshtim me ligjin, për të joshur me financime nga buxheti i shtetit media proqeveritare, duke përfshirë edhe TVSH-në që është kthyer gjatë gjithë qeverisjes së qeverisë Berisha në një apendiks propagandistik të saj. Po kështu, e ka përdorur për të reklamuar punën e bërë nga ai në krye të ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që, të paktën gjatë paradës së 100-vjetorit të pavarësisë, forcat e armatosura shqiptare dhanë një imazh tejet amatoresk e të dobët, aspak profesional, që shfuqizon çdo reklamë.

Kuptohet që, në shkëmbim të këtij “nderi”, ai ka marrë më shumë pasqyrim, ndërmjet liderve të pozitës qeverisëse, fakt që ka rënë në sy të opinionit dhe të kolegëve të tij ministra apo eksponentë të lartë të PD. 

(Shkrimi u botua sot në gazetën "Shqiptarja.com" (print), e diel, 30 qershor 2013)
(ar.sh/shqiptarja.com)