Taylor Swift ka aplikuar për të regjistruar si markë tregtare zërin dhe pamjen e saj, një përpjekje e dukshme për të mbrojtur veten nga imitimet përmes inteligjencës artificiale.

Superylli i popit ka dorëzuar tre aplikime për markë tregtare në SHBA, një duke përdorur një foto të saj në skenë gjatë turneut “Eras Tour”, dhe dy të tjerat duke përdorur audio ku ajo prezantohet ndërsa promovon albumin e saj të fundit.

Versione të gjeneruara nga IA të Swift kanë dalë në mënyra të ndryshme gjatë viteve të fundit,nga imazhe eksplicite deri te një reklamë e rreme zgjedhore në të cilën ajo dukej sikur u kërkonte njerëzve të votonin për Donald Trump.

Ky hap vjen pasi aktori Matthew McConaughey u bë i pari personazh i famshëm që përdori rregullat e markave tregtare për të tentuar të mbrojë zërin dhe imazhin e tij nga keqpërdorimi nga IA më herët këtë vit.

Aplikimet për markë tregtare janë një mënyrë relativisht e re me të cilën të famshmit po përballen me problemin në rritje të kopjeve të krijuara nga IA.

Fotoja e zgjedhur për të përfaqësuar imazhin e Swift tregon atë në skenë “duke mbajtur një kitarë rozë, me rrip të zi dhe e veshur me një kostum trupor shumëngjyrësh me shkëlqim dhe çizme argjendi”, sipas aplikimit.

Ajo është përdorur më parë si një nga fotot zyrtare promocionale për filmin e turneut “Eras” në Disney+.

Këngëtarja gjithashtu ka aplikuar për të regjistruar si markë tregtare audio ku ajo thotë “Hey, it's Taylor” dhe “Hey, it's Taylor Swift”, nga klipe që ka regjistruar për Spotify dhe Amazon Music për të promovuar albumin e saj The Life of a Showgirl vjeshtën e kaluar.

Edhe nëse fotoja dhe klipet zanore nuk kopjohen drejtpërdrejt, regjistrimi i tyre si marka tregtare mund t’i lejojë asaj të ndalojë përdorimin më të gjerë të IA për imazhin dhe zërin e saj, sipas avokatit Josh Gerben, i cili publikoi i pari detajet e aplikimeve në blogun e tij.

“Duke regjistruar fraza specifike të lidhura me zërin e saj, Swift mund të kundërshtojë jo vetëm riprodhimet identike, por edhe imitimet që janë ‘të ngjashme’, një standard kyç në ligjin e markave tregtare,” shkroi ai.

“Në teori, nëse do të ngrihej një padi për një IA që përdor zërin e Swift, ajo mund të pretendojë se çdo përdorim i zërit të saj që tingëllon si marka e regjistruar shkel të drejtat e saj të markës tregtare”, thotë ai duke shpjeguar se e njëjta gjë vlen edhe për imazhin.