Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të mëdha të Shqipërisë të mbledhin firmat e qytetarëve për të kërkuar një referendum mbi ligjin e mbetjeve urbane, që lejon importimin e tyre në interes të industrive ricikluese.

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave ka deklaruar se do të mbledhë mbi 50 mijë nënshkrime për të kërkuar sipas Kushtetutës që qytetarët të pyeten në një referendum kombëtar nëse miratojnë apo jo importimin e mbetjeve nga shtete të tjera. Krahas mbledhjes së firmave, përfaqësues të kësaj Aleance po zhvillojnë edhe një seri takimesh me opinonin publik për të shpjeguar nga ana shkencore, ekonomike dhe sociale rëndësinë e kësaj çështjeje.

“Shqipëria të mos bëhet destinacion i riciklimeve europiane, ndërkohë që po punon të bëhet destinacion turistik ndërkombëtar”, thotë studiuesi Lavdosh Ferunaj.