Imuniteti, fjala e plote e deputetit Tom Doshi sot ne Kuvend

Sot unë dot votoj për heqjen e imunitetit tem. Ju kerkoj të gjithëve të votoni njësoj si unë. Jo sepse jam fajtor. Po sepse du me kontribu me gjithçka di për zbardhjen e plotë të krimit qeveritar të 21 Janarit.

Pa asnji dyshim asht kamngulja kryesisht e Sali Berishës, e realizume me te tana mjetet qe ai asht msu me përdorë, përfshirë ktu edhe ndërhyrjen tek ndërkombtarët, që unë patjeter dhe me çdo cmim të përfshihem në hetimin e organit të akuzës.

Kam kenë aktiv në organizimin e demonstratës si çdo deputet i Partisë Socialiste. Kam mobilizu protestues ne qarkun e Shkodres për me ardhë në proteste paqësore…

Të nderum kolege,

Dëshiroj t’ju shpjegoj ju, shqiptareve dhe ndërkombtarëve kryesisht, rolin që unë kam pasë më 21 janar.

Pas thirrjes për demonstrate, pika e takimit për zonat që përfaqësonim ishte lanë te Stacioni i Trenit, për arsye parkimi. Jemi nisur të gjithë bashkë, rreth 10 deputetë, në krye të protestuesve. Kur mrrime te Ministria e Transporteve, janë bashku edhe grupe të tjera që kishin ardhë prej rretheve e prej Tiranet.

Në bulevard protestuesit ecën me shpejt se na, dhe kur unë arrita tek kordonat e policisë, pashë njerëz të gjakosun. Në këtë moment turma ishte duke gjujtë policinë me çadra. U futa mes policisë dhe turmës e arrita të krijoj një korridor mes tyne. Në këtë moment erdhën makinat me ujë dhe me gaz lotsjellës që morën mbarë policë e protestues. Njerëzit u frikesun dhe morën drejtimin mes 2 kullave dhe godinës ku asht Gjykata Kushtetuse.

Kur pashë që njerëzit po shkelnin njeni- tjetrin, hypa te 2 kolonat e godinës duke ju kam ba thirrje njerzve që të qetësohen. Në momentin që po ndihmoja disa njerëz që ishin të rrezum përtokë, më plasi një granate me gaz lotsjellës tek kamët. Sa kalova në trotuar para 2 kullave, më hodhën edhe një granatë tjetër. Në këtë moment fillova të kem vështirësi në frymëmarrje dhe në shikim. Kur shkova tek kabina e telefonit, para 2 kullave, gjendja jeme u randu. Dhe aty me ndihmën e disa shokëve kalova tek lulishta para ambasadës ruse. Ktu fillova me e marr vedin e kalova tek ura që të lidh me Tajvanin.

Me pas u ktheva prapë ne Bulevard. Policia kishte ikë krejt. Nji grup njerzish vazhdonin e gjunin me gurë, nji grup tjetër kishte hypë te muri i kryeministrisë, pa tentu të futeshin në kryeministri. Një polic kam pa që ka hapë derën e kryeministrisë. Dhe me pas erdhi një makinë që goditi dyert që ishin pothujse të hapura.

Turma po shpërndahej, kur dëgjuam krisma armësh. Kolegët më thanë që janë fishekë manovër, por unë u thashë që nga krismat më duken fishekë luftarakë.

Pas disa minutash, Gjok Jaku më tha se kanë vra Aleksin prej Lezhet… Më thanë që asht vra edhe nji shkodran. Jam nisë menjëherë me taksi që e morëm tek Tajvani, bashkë me Gjok Jakun e Armando Prengen për të shku në Spital Ushtarak. Aty pyta se kush asht vra prej Shkodret. Për fat të mirë nuk kishte të vramë prej Shkodret. Më pas morëm vesh se kush ishin te vramët. Aleksi ishte ala gjallë……

Në këtë kohë erdhi nji djalë prej Lezhet dhe më tha qe ka dalë Mesila Doda në televizor e ka thanë që vrasjen e ka ba Tom Doshi bashkë me nipin e vet.

Pyeta për Aleksin nëse skaneri ishte ba ala, takova doktorin e i kërkova diskun e skanerit dhe kartelën e tij. Sepse nuk kisha besim tek doktorat që po mundoheshin me zhdukë gjurmët.

Pas kësaj kam ikë tek PS-ja, ku pashë në televizor Doktorin që doli e tha që vrasja ishte bërë nga afër. I thashë kryetarit të Partisë Socialiste: Ja ku është disku që tregon drejtimin e qitjes.

Në këte kohë dolën edhe pamjet e Neës 24, ku dukej qarte gardisti që gjuante drejt demonstruesve. Mas ktyne pamjeve filmike nuk doli kush ma nga PD-ja me thanë që protestuesit janë vra mes njeni- tjetrit….

Në këtë video shihej qartë edhe roli jem në ato momente, mes policisë dhe protestuesve. Pra qëllimi, si përfundim nuk ishte me goditë kryeministrinë apo me hy në kryeministri.

Nga sa thashë deri tesh, tregon se unë kam kenë bashke me ta përballë kryeministrisë në 21 Janar. Do jem bashke me ta në çdo proteste deri kur Sali Berisha të largohet nga kryeministria. Sepse asht kriminel. Asht i pabesë me popullin….

Atë dite kam ba çmos me qetsu konfliktimin e tyne me policinë. Jam goditë me gaz njësoj si ata. Kam ba çmos deri në fund me i rujtë nga plumat e Sali Berishës. I kam vizitu të plagosunit e të damtumit në spital e nëpër shpia. I kam ndihmu me mjekë e me ilaçe kur s’kam kenë deputet. I kam ndihmu sa kam mujtë kur jam ba deputet. I kam ndihmu edhe mas 21 Janarit. Do t’i ndihmoj tan jetën njerëzit e varfën dhe miqtë e mi.

Kurrë nuk i kam folë kujt për dhunë dhe për asi moment ne 21 Janar nuk kam nxit kënd për dhunë. Kërrkush prej tyne s’ka ardhë në Tirane me ba dhune. Kane pas veç çadra, parulla dhe mllef për qeverinë e për Sali Berishën. Po të mos i kishte sulmu policia me gaz, nuk do kishin gjujtë as me gurë.

Sali Berisha me ka akuzu se desha me u ba Ministër i Mrendshëm mas 21 janarit. I tham Sali Berishës se as kam dashtë, e as nuk du me u ba najherë ministër. Arsyeja e futjes teme në politike dhe e marrjes së 2 mandateve deputet nuk ka te bajë me ambicien me u ba ministër.

Sali Berisha ka shkrujtë mbi 100 artikuj në gazetat e veta duke me qujtë kriminel. Te tana shpifje. Ka qysh në vitin 2005 që mbush veshët e ndërkombëtarëve me akuza monstruoze kundër meje. Në mënyrë sistematike ky njeri ka organizu një lumë trillimesh kundër meje.

Ka fut veglën e vet Agron Kuliqin, bashkë me do kriminela të tjerë në polici, tuj torturu njerëz nëpër burgje për me nxjerrë dëshmitarë të rremë për krime që unë nuk i kam kry kurrë. Doli Mesila Doda me 21 janar tuj thanë që bashke me nipin tem paskam vrare protestuesit. Olldashi tha qe kisha pru makinën me automatike, Berisha çadra pistoleta.

Por e vërteta sot ka dalë hapur, se pavarësisht mercenarëve që ka përdorë, vrasësi ktu asht Sali Berisha. Edhe mas 21 Janarit ka ba të njëjtën gja! Janë masakru në polici protestues shkodranë duke i’u thanë pranoni që Tom Doshi ju ka pagu me ba dhunë.

Po pse e ban Sali Berisha tan këtë lufte me mu? Pse e ka inatin kaq shumë me mu, tuj shpif e akuzu sa here i teket?! Përgjigja asht e thjeshtë: Sepse e kam mujt 2 herë në zonën e Shkodrës ku ka kujtu se i ka njerëzit kamikazët e vet. Sepse PD-ja, pavarësisht vjedhjeve,

sot ka veç 1 deputet ma shumë se PS–ja, sepse ne 20 vjet asht msu me e pa PS-në në Shkodër me 1 ose 2 deputetë. Ky asht inati ma i madh i Sali Berishës me mu. Asht nji ndër andrrat e tij që unë të mos jem aktiv në politikë.

Jam tesh 7 vjet në opozite me kolegë të tjere dhe kam pranu damtimin e madh të biznesit tem nga gjobat që m’i ka pre Sali Berisha. Ta harrojë Sali Berisha se mund të mposhtin me kto shantazhe që vetëm nji burracak si Berisha kryeministër mund të përdorë kundër kundërshtarëve të vet politik. E vetmja fuqi që i druhem asht Zoti!

Sali Berishen e njof për frikacakun ma të madh që ka Shqipnia. Vetëm një frikacak asht i pabesë.

Dhe vetëm nji i pabese si Sali Berisha munet me vra popullin e vet të paarmatosun, që proteston për të drejtat e veta, kundër një qeverie të korruptime, siç i ka vra ne 21 janar.

Ai që çoi kriminelët e SHIK-ut me vra Remzi Hoxhen.

Ai që shkatërroi Shqipninë në 97-tën.

I paburrë e i pabesë ma i madh nuk ka dale najherë në historinë e Shqipnisë.

E bani rrugen e Kukësit dhe mushi thasët me lek si hajdut ordiner.

Ai që u fali grekëve 300 km det Shqipnie, ma zi s’e ka ba çdo tradhtar i ktij kombi.

Sali Berisha e ka fajin edhe për provokimin e turmës më 21 janar.

Sali Berisha e ka fajin edhe për pushkët që u qiten kundër turmës.

Sali Berisha e ka fajin edhe për tytat e ndrrume të armëve.

Sali Berisha e ka fajin edhe për serverin e Kryeministrisë që asht fshi.

Sali Berisha duhet me u hetu i pari për krimet që i ka ba popullit vet.

Po të ishte burrë s’do i kishte ba këto faje.

Po ai burrë s’asht dhe pranej burrnisht unë i tham sot se nji ditë do përgjigjet për gjithë të zezat që i ka ba ktij populli.

Gjakun e atyne 4 burrave pa armë, prej të cilëve edhe pa bukë në shpi, Sali Berisha s’ka me mujtë me e ba ujë. Si tanë diktatoret e Arabisë, ai ka me perfundu aty ku e ka venin, para gjyqit të popullit. E drejta vonon, por s’harron.

Sa për mu, unë kam kenë në prokurori për 21 janarin edhe kur kisha imunitet. Pa imunitet ndihem ma i qetë s’e nuk thotë dot kush që Tom Doshi asht deputet pranej nuk hetohet.

Biznesi jem ka kenë për nji kohë të gjatë me ilaçet, por ilaçi ma i mirë në këtë botë asht drejtësia. E unë shpresoj që ky popull ta pijë nji ditë këtë ilaç e të shërohet nga padrejtësia masi të hjekin qafe të paburrin e pabesë, Sali Berisha!

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset