Imunitetin
vetëm në këmbim
të kryeprokurorit

Edi Rama akuzohet nga Qeveria (dhe në një mënyrë edhe nga Bashkimi Europian) se kërkon të vonojë miratimin e reformës kushtetuese që eliminon imunitetin për parlamentarët. Në të vërtetë, Rama dhe partia socialiste, kërkojnë që bashkë me heqjen e imunitetit të votohet edhe një modifikim në kuorumin për zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm. Dhe natyrish qeveria këtë e refuzon.

Komuniteti ndërkombëtar (me këtë rast Bashkimi Europian) siç ndodh shpesh – dhe ky është paradoksi i madh dhe tragjik i diplomacisë – tregohet shumë më tolerant përballë kujt qeveris sesa me kë është në opozitë. Dhe në këtë mënyrë, në vend që t’i kërkojë Berishës që të pranojë të paktën këtë herë kërkesat e opozitës dhe të pranojë të rrisë kuorumin për emërimin e prokurorit, i kërkon opozitës të pranojë kërkesat e qeverisë dhe të votojë imunitetin pa kapriço.

Opozita, për hir të së vërtetës, ka shumë arsye që të lidhë heqjen e imunitetit me kritere të reja për emërimin e prokurorit. Pas disa javësh Ina Ramës i skadon mandati dhe Berisha është gati të emërojë kryeprokurorin e ri me të njëjtin kriter të “besnikërisë ndaj PD” me të cilin zgjodhi presidentin e republikës dhe kreun e SHISH. Moskokëçarës për të respektuar edhe të drejtat minimale të opozitës, Berishës nuk i mjafton asnjëherë pushteti, asnjëherë nuk ngopet me të, duket më i uritur nga çdo shqiptar tjetër, edhe pse më shumë se seicili prej nesh, është ushqyer me pushtet. Tani mezi i pritet të vërë nën kontroll edhe Prokurorinë, pasi ka vënën nën kontroll pjesën më të madhe të gjykatave, edhe falë ndrojes të treguar nga Bamir Topi në emërimin e gjykatësve, shumë prej të cilëve me dëshirën e Berishës.

Çfarë do të ndodhë në vend nëse pas dy muajsh prokuroria e re politike e kontrolluar nga Berisha do të vendosë të çojë në gjykatë ndonjë deputet të opozitës të mbetur pa imunitet? Kjo është lufta kundër korrupsionit që pretendon Bashkimi Europian? Brukseli në këtë periudhë ka gjëra të tjera për të menduar, kështuqë nuk ja ka ngenë një përplasjeje mes Berishës dhe Ramës. Por pikërisht për këtë arsye do të bënte mirë të mos merrte një pozicion, dhe aq më pak, të jepte dëftesa me nota të mira dhe nota të këqija.

Ti japësh mundësinë sot Sali Berishës të emërojë dhe kryeprokurorin e ardhshëm në vend që të mbështesësh opozitën në tentativën e saj për të reformuar zgjedhjen e një prokurori bipartizan, nuk është një linjë politike që shkon në interes të stabilitetit dhe demokracisë së vendit. Eshtë shumë e rëndë që Brukseli nuk e kupton këtë. Dhe është akoma më e rëndë të insistojë heqjen e imunitetit pikërisht në këtë moment, duke krijuar kushtet që mund ta çojnë Berishën të përsërisë skenarin e vitit 1996, ndoshta jo më duke i arrestuar deputetët e opozitës, por me siguri, duke i mbajtur nën presion dhe intimidim ne prag te zgjedhjeve.

Ashtu siç del dhe nga investigimi i bërë sot këtu te Shqiptarja.com, nuk është e vërtetë se janë plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga BE për të deklaruar Shqipërinë si vend kandidat, veç kushtit të imunitetit: mund të lexohet shumë qartë në faqet 2 dhe 3; kushtet ende të paplotësuara janë akoma 9 nga 12. Atëherë, përse Brukseli, ashtu si Berisha, insiston kaq shumë me imunitetin?

Berisha zgjodhi presidentin duke shkelur kërkesat e Bashkimit Europian që donte në fakt një zgjedhje bipartizan. Çfarë i ka ndodhur? Asgjë. Brukseli vazhdon të lavdërojë kryeministrin, duke treguar se e ka harruar zgjedhjen e Nishanit. Asgjë nuk i ndodhi edhe me goditjen që u dha SHBA-ve me procedurat e emërimit të kryetarit të ri të SHISH-it. Atëherë, edhe opozita të bëjë njësoj: Të insistojë me kërkesat e saj dhe të mos e votojë imunitetin derisa t’i realizojë ato. Marrja edhe e kryeprokurorit nga Berisha, është gabimi më i rëndë që mund të bëjmë si shoqëri. (shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zyrtarizohet Po-ja e Izraelit për armëpushimin në Liban, e miraton kabineti i sigurisë: 60 ditë ndërprerje e luftës