TIRANE- Ish-kryeprokurorja Ina Rama ka paditur në gjykatën Administrative kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe nën/kryetarin Elvis Cefa, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit për rrëzimin e kërkesës së saj, lidhur me rikthimin në punë si gjyqtare. Një lëvizje kjo e paralajmëruar në muajin shkurt të këtij viti, ku Ina Rama në një prononcim për gazetën “Shqiptarja.com”, deklaroi se do e kundërshtonte në gjykatë vendimin e KLD.

Në padinë civile disa faqe, të depozituar në sekretarinë e Gjykatës Administrative, ish-kryeprokurorja Ina Rama, bën përgjegjës, kryetarin Bujar Nishanin, nën/kryetarin Elvis Cefa, për refuzimin e kërkesës për futjen e saj në punë, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Në padi Rama, pretendon se është shkelur ligji për funksionimin e Prokurorisë së Përgjithme dhe më konkretisht neni 7, si dhe ligjin për funksionimin e KLD-së. Rama pretendon se qëllimisht dhe në mënyrë të paligjshme është mbajtur në sirtarë prej një viti, kërkesa e saj për rrifillimin e punës.

Ndërkohë argumenton në padinë e saj se gjatë diskutimit në mbledhjen e KLD-së, i është shkaktuar një dëm moral, Gjin Gjoni ka shprehur mendime personale gjatë mbledhjes dhe nuk ka thënë të vërtetën për kërkesën e saj të depozituar në KLD. Sipas Ina Ramës, kërkesa është depozituar në datën 14 janar 2013, ndërkohë është marrë në shqyrtim në muajin shkurt 2014.
Në mbledhjen e Shkurtit 2014 anëtari i KLD Sokol Çomo, i është drejtuar presidentit Bujar Nishani dhe anëtarëve të tjerë, lidhur me arsyer se pse ishte vonuar shqyrtimi i kërkesës për riktimin në punë të Ina Ramës.

Presidenti Nishani:”... me të drejtë zoti Çomo pyeti pse nuk është futur më parë në rendin e ditës dhe natyrisht KLD, meriton një përgjigje nga unë si kryetar i KLD-së, që përcaktoj rendin e ditës. Ka një dhe vetëm një arsye që është shumë e thjeshtë, sepse kërkesa e zonjës Ina Rama nuk është bërë në përputhje të plotë me ligjin... Nëse kjo kërkesë e zonjës Rama do të kishte ardhur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që për një, dy, tre, katër, pesë arsye nuk mund të shërbejë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, atje ku e ka ndërprerë por në një gjykatë të barasvleshme, pa diskutim që ky këshill do ta fuste në rendin e ditës menjëherë, do ta diskutonte edhe në kontekst të situatës...”.

Anëtari Gjin Gjoni:”...Aspekti i dytë që është i lidhur dhe unë e them, pse zonja Rama u kujtua pas 7 vjetësh që të vijë të kërkojë...”Sepse ligji e kërkon 3 vjet.., pse nuk erdhi për të kërkuar përpara atij këshilli të nderuar ose këtij këshilli në qoftë se ndonjëri prej jush ose prej nesh ka qënë pjesë e këtij këshilli, që të kërkojë të respektohet neni 28 i ligjit?... Unë them që zonja Rama edhe tek Krimet e Rënda, për mendimin tim duhet të futet në konkurim me të gjithë gjyqtarët e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Shkallës së Parë... Po fitoi të shkojë në vendin e punës...”.

Tre të pandehur në dosjen
“Gjika”, i shpëton amnistia
Prokuroria: Falet akuza e “Ndërtimit të paligjshëm”
Amnistia fal tre të pandehurit e dosjes “Gjika”, ndaj të cilëve ishte ngritur akuza e “Ndërtimit të paligjshëm”. Nga dita e djeshme, të pandehurit Mustafa Tartari, Aleks Ahmataj dhe Artan Ferhati, janë “zhveshur” nga akuzat, duke shpëtuar nga procesi gjyqësor që po zhvillohet në gjykatën e Tiranës. Akuzat për ndërtim pa leje u rrëzuan edhe për 3 të pandehur të tjerë si Gëzim Feta, Blerdi Liçaj dhe Gentian Sherifaj, po procesii tyre do të vijojë të zhvillohet, pasi ndaj tyre është ngritur dhe një akuzë tjetër si ajo e “Falsifikimit të dokumenteve”.

Tashmë procesi gjyqësor do të vijojë ndaj të pandehurve Shpëtim Gjika, Eleni Dardhaj, Gëzim Feta, Blerdi Liçaj, dhe Gentian Sherifaj. Ndërkohë gjatë seancës së djeshme është dëgjuar dhe dëshmija e shtetasit Artan Selimi, i cili për periudhën kur janë shtrirë hetimet ka qenë anëtar i Këshillit të rregullimi të bashkisë Vlorë. Selimi deklaroi se nuk kujton me detaje se çfarë vendimesh janë marrë në mbledhjen e 15 korrikut të vitit 2010 në KRT-në e Vlorës, por tha se deri sa ka firmosur në procesverbal ka qenë i pranishëm në mbledhje.

Gjatë zhvillimit të seancës të dosjes “Gjika”, asnjë nga të pandehurit nuk ndodhet në seancë mes të cilëve as kryetari i Bashkisë Vlorës, Shpëtim Gjika, pavarësisht se ky i fundit ka deklaruar disa herë në media se do ishte i pranishëm në çdo seanca gjyqësore. Pritet që procesi gjyqësor ndaj 5 të pandehurve të zhvillohet ditën e hënë të javës së ardhme.

Shkrimi u publikua sot (15.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)