Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, ka qenë i prerë në detyrat për efektivat e Policisë së Krujës, në drejtim të parandalimit dhe goditjes së kultivimit dhe shitjes së kanabisit. Po ashtu Hita ka dhënë porosi të prera edhe për personat që lëvizin me armë, për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë, duke përmendur Ylli Zallën, që sa herë e kontrollojnë në banesë i gjejnë armë dhe ai nuk është kapur ende.

Komentet Hita i ka bërë teksa është inauguruar Komisariati i ri i Policisë në Krujë, një investim për modernizimin e Policisë së Shtetit dhe rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

Në aktivitetin e organizuar me këtë rast morën pjesë Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si dhe Drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi.

Në fjalën e tij ministri Lamallari kërkoi nga punonjësit e policisë rritje të standardit të shërbimit ndaj qytetarëve.

"Kur vjen puna te modernizimi nuk është fjala vetëm për infrastrukturën, por flasim edhe për standarde europiane dhe shërbim cilësor për qytetarët", tha ministri.

Në total janë rikonstruktuar mbi 2200 m² ambiente, duke krijuar një infrastrukturë moderne dhe funksionale në shërbim të komunitetit.

Komisariati i ri ofron kushte bashkëkohore për rreth 140 punonjës të policisë, si dhe ambiente të dedikuara sipas standardeve për trajtimin e rasteve, përfshirë hapësira për të miturit, praninë e mjekut dhe avokatit, si dhe salla të posaçme për marrjen në pyetje. Gjithashtu, është ndërtuar një sallë operative me standarde të avancuara, që garanton reagim më të shpejtë dhe më efikas ndaj çdo situate.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:27
Inaugurimi i Komisariatit të Krujës, kryepolici Hita: Të goditet krimi, parandalim i kultivimit të hashashit dhe armëve pa leje

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, pas inaugurimit të Komisariatit të Policisë Krujë, me prezencën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim pune me efektivat e këtij komisariati.

Drejtori Hita kërkoi nga drejtuesit dhe efektivët e Policisë së Krujës punë profesionale për sigurimin e informacionit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, identifikimin dhe goditjen e financuesve dhe trafikantëve të kanabisit, si dhe kapjen e personave në kërkim, duke u ndalur te një i kërkuar që, sa herë ushtron kontroll Policia, i gjenden armë në banesë dhe ende nuk është kapur.

Armëmbajtja pa leje, krimet mjedisore, si dhe ndjekja në dinamikë e shqetësimeve të qytetarëve, sado të vogla qofshin ato, ishin disa nga porositë e tjera që Drejtori i Përgjithshëm la, duke kërkuar më shumë angazhim dhe profesionalizëm.

Më tej, Drejtori kërkoi performancë më të mirë nga punonjësit e Policisë, duke theksuar se ambientet e reja ku do të punojnë kërkojnë një performancë tjetër, me qëllim që qytetarët të marrin një shërbim sa më cilësor.

Në fund të takimit, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi nga shërbimet e Policisë Rrugore që të zbatojnë me rigorozitet porositë e dhëna, duke u fokusuar te teknologjia për evidentimin e shkeljeve.