Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj ka ftuar nxënësit që kanë mesataren mbi 7.5 të ndjekin shkollën e mesme profesionale për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit. Veliaj ka inauguruar shkollën e re profesionale “Hermann Gmeiner” që është hapur në fshatin SOS.
 
Gjatë vizitës Veliaj tha se shkolla do të bashkëdrejtohet nga drejtues austriakë, ndërsa certifikata me të cilën nxënësit do të pajisen nga shkolla do të njihet si në Austri, ashtu edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

Hermann Gmeiner

Ministri Veliaj, e cilësoi këtë investim të qeverisë shqiptare, si një zgjedhje e zgjuar për kërkesat e tregut të punës, por edhe si një model mbi të cilin duhet të bazohen të gjitha shkollat profesionale në Shqipëri. Sipas tij, “Hermann Gmeiner” do të jetë një shkollë profesionale elitare.
 
Duke filluar nga 1 shtatori, të gjithë ata të rinj të apasionuar pas teknologjisë së informacionit dhe komunikimit kanë një mundësi të re ku mund të ndjekin ëndrrën e tyre. Kjo shkollë është modeluar sipas shkollës austriake të teknologjisë së informacionit në Shkodër, dhe do të mirëpresë këtë vit nxënësit e parë.
 


“Kjo shkollë e re është një përvojë e mirë e bashkëpunimit austriako-shqiptar në çështjet e arsimit profesional. Duke filluar nga data 1 shtator, ftojmë të gjithë ata prindër që duan të regjistrojnë fëmijët e tyre në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit. Jam shpresëplotë se një Steve Jobs apo Bill Gates shqiptar do mund të lindë këtu një ditë”, u shpreh z. Veliaj pas inspektimit të punimeve të fundit në shkollë.
 
Sipas ministrit Veliaj, ofertat kryesore që vijnë nga zyrat e punës janë për njerëz të aftë në fushën e teknologjisë së informacionit apo që menaxhojnë rrjete.
 
Nga ana tjetër, ministri Veliaj përmendi edhe hapjen në shtator të shkollës së re bujqësore në Zadrimë, e cila vjen si një bashkëpunim midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane.
                       
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)