Kavaja dhe rrethinat kanë një ndërtesë të re për Shërbimin Zjarrfikës të qytetit, si edhe mjete e pajisje të tjera për shpëtimin. Kjo falë mbështetjes nga Shoqata Austriake për Ndërtimin dhe Mbështetjen e Zjarrfikësve Vullnetar në Shqipëri.
Ceremonia për dorëzimin e ambienteve të rindërtuara u zhvillua sot, në Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikëseve. Në të morën pjesë Ministri Balla, Kryetari i Bashkisë Kavajë, përfaqësues të pushtetit vendor, të zgjedhur dhe donatorët.
Ministri i Brendshëm garantoi në emër të qeverisë se po punohet për një program të madh asistence ndaj Shërbimit Zjarrfikës, me donatorë, Bankën Botërore etj. për të përmbushur deficitet në infrastrukturë, kryesisht mjete e pajisje.
"Jemi në një faze të re të transformimit të këtij shërbimi dhe po ashtu i garantoj burrat, djemtë, por edhe vajzat që kemi në Shërbimin Zjarrfikës, për një vëmendje të shtuar, e cila duhet të fillojë nga trajtimi i duhur financiar i punonjësve të shërbimit zjarrfikës", u shpreh Balla.
Më tej, ministri i Brendshëm foli për domosdoshmërinë e shtrirjes së shërbimit vullnetar në këtë fushë, duke ndjekur si model suksesi Austrinë.
"Austria është një model për të cilin flas shpeshherë, sa here që mblidhemi me drejtuesit e Shërbimit Zjarrfikës. Ne shqiptarët, pas viteve '90, sepse deri në vitet '90 vullnetarizmi ishte diçka shumë e përhapur, pas atij momenti jemi larguar vullnetarizmit dhe dua të jap një shifër që është shumë domethënëse, në Austri 99 % e Shërbimit Zjarrfikës janë vullnetarë. Gjatë vitit të kaluar ne patëm kulmin e sezonit tonë turistik, edhe pse e di fare mirë që 2024 do të jetë një tjetër rekord, ne kemi pasur 500 misione shpëtimi kryesisht në zonat malore dhe jo vetëm. Edhe gjatë dimrit të këtij viti, kemi pasur raste ku na është kërkuar të ndërhyjmë përmes misioneve të shpëtimit. Prandaj është shumë e rëndësishme që përveç dimension të zhvillimit kundër zjarrit, ne të zhvillojmë edhe atë të shpëtimit", tha ministri Balla.
Lajmi kryesor: