Inaugurohet vepra artistike "Adem
Jashari" në Aeroportin e Prishtinës

Inaugurohet vepra artistike "Adem<br />Jashari" në Aeroportin e Prishtinës
Sot në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari” Limak Kosova, në vazhdën e kremtimeve të shumta për nder të 28 nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kompania Limak dhe Bordi i Drejtorëve të Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës, organizuan ceremoninë e inaugurimit të veprës artistike “Adem Jashari”, të ideuar nga Paper Communications dhe e punuar nga kompania Fortesa Home, si dhuratë për Kosovën, raporton Anadolu Agency.

Sipas ideatorëve dhe punuesve të saj, kjo vepër paraqet “madhështinë dhe heroizmin e Adem Jasharit dhe gjithë luftëtarëve që u flijuan për lirinë e Kosovës” ndërsa, inaugurimin dhe lëshimin e ujit që simbolizon vazhdimin e një jete më të mirë për popullin e Kosovës e bënë së bashku, pasardhësit e familjes Jashari: Shabani, Ademi, Hamza, Zahidja dhe Rifati.

adem jashari prishtin

Duke i shprehur respektin maksimal figurës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si dhe gjithë dëshmorëve tjerë, Haldun Kokturk, drejtori i  përgjithshëm i ANP Adem Jashari Limak Kosova tha se, ata që kanë mbetur pas dëshmorëve e kanë për obligim që me vepra siç është kjo në aeroport, t’i kujtojnë ata që flijuan jetën për liri.

 “Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij, pa u trembur fare, dhanë jetët e tyre për hir të lirisë dhe jetës më të mirë të gjeneratave të reja të Kosovës. Qëllimi i tyre nuk ka qenë që thjeshtë të luftojnë por, ata e dhanë jetën për të paqe, për të realizuar ëndrën e një Kosove të lumtur,  të lirë dhe moderne. Për vete jo... por, për popullin e Kosovës, ata ëndëruan ditë më të mira. Themeluesi i Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Aataurku , pasi e ka fituar luftën çlirimtare , me 9 shtator 1922 shokëve ju kishte thënë: “beteja e vërtet fillon tash; është kjo lufta për dituri”dhe me këtë, ai ka përshkruar edhe luftën të cilën e ka bërë Adem Jashari” - tha Kokturk.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli duke kujtuar dhe nderuar sakrificën e Adem Jasharit, familjes së tij dhe gjithë dëshmorëve të kombit, tha se beteja të cilën ata e kanë bërë për ta sjell lirinë dhe ditët më të mira, është obligim për pasardhësit që të punojnë në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.  “Të nderuar qytetarë, urime juve për këtë vepër artistike, madhështore. Urime ideatorit për idenë, sensin dhe punën. Urime stafit të aeroportit, urime koncesionarit Çalik-Limak për punën dhe modernizimin e aeroportit. Krejt në fund, përkulemi me pietet para të gjithë atyre që na e sollën lirinë dhe sot, po bëjmë roje të saj” tha Ismalji.    

Duke theksuar se, liria dhe zhvillimi i vendit ka qenë dëshira e të gjithë ushtarëve për liri, veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi tha “Le ta ruajmë këtë aeroport. Le të zhvillojmë këtë aeroport. Le ta zgjerojmë këtë aeroport. Le të zhvillojmë dhe të zgjerojmë lidhjet tona me gjithë botën. Ne nuk luftuam vetëm për veten tonë, nuk luftuam vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë por për të gjithë botën sepse bota me popuj të robëruar nuk do të ishte botë e demokracisë dhe botë e drejtësisë”

Vepra artistike Adem Jashari e cila nga sot, do ta zbukurojë Aeroportin Ndërkombëtarë, sipas ideatorëve dhe krijuesve, Paper Communications dhe kompanisë Fortesa, paraqet  portretin që identifikohet me heroin legjendar dhe njëkohësisht, në vepër janë paraqitur edhe vlerat autoktone kulturore shqiptare, të inkuadruara në formën e plisit kurse, në anën tjetër të kësaj skulpture gjenden krahët, përmes të cilëve madhështohet kontributi i gjithë atyre dëshmorëve që u flijuan për pavarësinë e vendit.

Ahmeti dhe Ahmetaj zyrtarisht "Blejnë Shqip"
Veç këtij aktiviteti, gjatë ditës ka pasur edhe shumë aktivitete të tjera për të shënuar Ditën e Flamurit, të cilat kanë filluar në mëngjes, me ceremoninë e hapjes zyrtare të panairit "Blej Shqip", hapjen e të cilit e bënë kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Ministri për Zhvillim Ekonomik Tregti dhe Sipërmarrje i Qeverisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj. Në këtë panair u ekspozuan produktet e 113 kompanive shqiptare, 50 nga Shqipëria, 50 nga Kosova dhe 13 nga Maqedonia.

Me këtë rast, kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti tha se, shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe Shqipërisë, janë minimale në krahasim me potencialet që kanë të dyja vendet. Andaj, sipas tij, duhet eliminuar të gjitha barrierat, me qëllim të integrimit të tregut, i cili do të mundësonte që fare pa tarifa, të bëhej eksporti dhe importi brenda kombit shqiptar.

Nga ana tjetër , ministri Arben Ahmetaj deklaroi se, hapja e këtij panairi, është një aktivitet i vetëdijesimit të shqiptarëve se, edhe kompanitë shqiptare dinë të prodhojnë për vete dhe eksport. Ai shtoi se, Shqipëria importon 800 milionë euro produkte ushqimore, dhe se kjo është e papranueshme sepse, shumica e atyre produkteve janë produkte të cilat dikur janë prodhuar në Shqipëri dhe madje, janë eksportuar. Në fund, ministri Ahmetaj porositi se, Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë me qëllim që barrierat tregtare të mos ekzistojnë më, duke promovuar mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve tregtare mbi 500 milionë euro dhe për të tërhequr sa më shumë produkte shqiptare, të dyja vendeve.

Ekspozita "Qëndresa heroike e familjes Jashari për liri"
Ndërkohë, nga ngjarjet tjera veçohet edhe hapja e ekspozitës me temën "Qëndresa heroike e familjes Jashari për liri", në Muzeun Shtetëror të Kosovës, ku u ekspozuan armët, teshat dhe gjësendet e përdorura të komandantit legjendar Adem Jashari dhe anëtarëve të familjes së tij, të cilët u vranë në shtëpinë e tyre nga forcat policore dhe ushtarake serbe, në mars 1998.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mat/ I vuri zjarrin tokës, por u dogj dhe vetë, humb jetën në spital i moshuari

Mat/ I vuri zjarrin tokës, por u dogj dhe vetë, humb jetën në spital i moshuari