Në dhjetor të vitit të kaluar, teksa Kryeministri Rama udhëtonte nga Gjermania në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ndodhur një incident në bordin e avionit të kompanisë gjermane të fluturimit Lufthansa.

Sipas asaj që shkruan sot gazeta gjermane ‘Spigel’ incidenti ka nisur për shkak të një debati për vendosjen e maskës. Por që ka përfunduar në fakt me kërkim ndjesë nga vetë kompania për shkak të sjelljes jo të denjë të stafit të kompanisë së fluturimit. Vetë kompania në letrën që i kërkon ndjesë Ramës qorton punonjësit e saj, duke e konsideruar sjelljen e tyre të papranueshme.

“Në emër të Lufthansa German Airlines, kërkojmë ndjesë që ju dhe familja juaj jeni zbritur nga fluturimi LH442 i Lufthansa nga Frankfurt në Detroit më 3 dhjetor 2021 dhe na vjen thellësisht keq për çdo shqetësim që ka shkaktuar kjo ngjarje. Ne ju kërkojmë ndjesë veçanërisht juve dhe familjes suaj, për sjelljen e papërshtatshme, pa ndjeshmërinë dhe maturinë e nevojshme të disa anëtarëve të ekuipazhit”, thuhet në letrën e kërkim ndjesës. 

Por këtë lajm që mori dhënë në disa nga mediat shqiptare ka reaguar edhe drejtori i Agjencisë për Mediat dhe Informimin, Endri Fuga, i cili ka shpërndarë edhe dokumentin që vërteton kërkimin e ndjesës.

“Lajm i vjetër, për një incident qe ne thelb nuk kishte vendosjen e maskës, por sjelljen e pahijshme të njërit prej anëtareve të ekuipazhit. Ndjesa e kompanisë u pranua që atë ditë”, ka shkruar Fuga.  

Sipas versionit të dhënë në Spigel sot Kryeministri shqiptar nuk ka dashur të mbajë maskë dhe pas debatit me stafin dhe pilotin ka ardhur edhe policia. Madje sipas gazetës gjermane Rama u shoqërua nga policia federale. Por gazeta nuk përmend kërkimin e ndjesës nga ana e kompanisë gjermane, e cila në fakt i ka dhënë fund gjithë çështjes.

Kërkimi i ndjesës nga ana e Lufthansa