GRAMSH - Dhjetëra simpatizantë protestuan pasditen e djeshme në mbështetje të kryetarit të bashkisë Dritan Bici i cili dje denoncoi drejtorin ekonomik në Ministrinë e Mbrojtjes Shkëlqim Berisha, se e ka kërcënuar me pistoletë për disa flamuj elektoral të PD.  

“Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes sot me pistoletë në dorë tentoi të frikësojë gramshiotët. Në mes të ditës, në mes të sheshit, ky pinjoll i familjes Berisha  rrezikoi jetën e dhjetra banorëve që ishin në shesh, rrezikoi jetën e dhjetra punëtorëve që po zbatonin një urdhër të bashkisë së qytetit. Rrezikoi jetën time dhe të drejtuesve të tjerë vendorë”,-tha Bici.

Protesta u organizua në qendër të qytetit dhe të pranishëm ishte dhe kandidati për deputet i PS-së në Gramsh Damian Gjiknuri.
“A mundet forcat e armatosura , këta zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes të një vendi të NATO-s të përfshihen në dhunë, dhunë verbale, të mbajnë armë pa leje apo të kërcënojnë zyrtarët në mes të ditës, aq më tepër këtu në Gramsh”,-u shpreh Gjiknuri.

Protesta mblodhi banorët e qytetit të Gramshit për të protestuar ndaj zyrtarit të Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlqim Berisha, i cili u denocua nga kryebashkiaku Dritan Bici se ka ushtruar dhunë mbi të dhe më pas e ka kërcënuar me armë pas përplasjes mes tyre për heqjen e flamujve elektoralë të PD-së në rrugët e qytetit.

gramsh gjiknuri

(Foto: Protesta dje ne Gramsh)

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)