TIRANË – Ka reaguar menjëherë lidhur me grabitjen e Pukës, deputeti socialist Taulant Balla. Ai i ka kërkuar publikisht Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Hysni Burgajt, të marrë masa për parandalimin e degradimit të mëtejshëm të rendit publik, përndryshe do të mbajë përgjegjësi sëbashku me drejtuesit e tjerë të Policisë së Shtetit.

Ka disa ditë me radhë që maskat po shfaqen në disa akse rrugore kombëtare, ndërsa Policia e Shtetit është tërësisht e padukshme. Nga Hysni Burgaj i pari dhe të tjerët me radhë, duhet ta dinë se çdo formë "dezertimi" në përballjen me krimin është vepër penale," -thekson Balla në një shënim në profilin e tij zyrtar në Fb. 
 
Sipas tij, "moskryerja e detyrës nga Policia po i lë terren elementëve kriminalë. Policia e Shtetit të vendose kontrolle në të gjitha akset rrugore problematike duke vënë në dispozicion edhe njësitë e saj speciale, ndërsa departamenti i Policisë kriminale të hetojë dhe ndalojë personat e maskuar që zbrazën armë edhe mbi fëmijë.

Forca e shtetit dhe e ligjit duhet të bjerë fort mbi këta elementë kriminalë, që po përfitojnë nga kjo periudhë tranzicioni pushteti. Një ditë më parë një familje nga Ulqini i Malit të Zi, denoncoi një rast të rëndë grabitje. Ata ishin grabitur në Rrugën e Kombit. Policia as kishte lëvizur gishtin ndaj denoncimit. Një ditë më pas, një tjetër ngjarje e rëndë shënohet në Pukë,” - nënvizon deputeti socialist.
 
 Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)