Pesëmbëdhjetë artistë shqiptarë, përfaqësues të artit bashkëkohor, janë bërë pjesë e një ekspozite të veçantë të hapur së fundmi në Galerinë Fontikus të qytetit Grožnjan në Kroaci. Ekspozita, me titull “Inclusiv”, vjen si rezultat i një bashkëpunimi kulturor mes artistëve shqiptarë dhe kroatë, nën kujdesin e ideatorit dhe kritikut të njohur italian Pino Bonanno.

Kuratorja dhe piktorja Anila Zajmi-Katanolli është marrë me organizimin dhe botimin e katalogut të ekspozitës dhe shprehet se ndihet e nderuar që i është besuar organizmi i kësaj ekspozite.

“Projekti i bashkëpunimit Shqipëri–Kroaci është një përvojë e bukur që pason iniciativat cilësore të Pino Bonannos, me të cilin kemi ndërtuar një raport të fortë profesional dhe njerëzor,” – thotë ajo.

Në këtë ekspozitë janë përzgjedhur 15 artistë modernë, që përfaqësojnë artin bashkëkohor shqiptar: Adriana Puleshi, Alban Çela, Arben Shira, Bujar Vani, Matilda Mehmetaj, Rikarda Nova-Nenshati, Shpëtim Xhema, Zinni Veshi, Adrian Çene, Anila Zajmi-Katanolli, Arif Lushi, Fatmir Carkanji (Lordi), Nezir Ago, Shaqir Veseli dhe Zef Pepa.

Sipas kuratores Zajmi-Katanolli, këta artistë kanë disa pika të përbashkëta, që i lidhin si brez dhe si qasje artistike.

“Janë piktorë të një gjenerate që kanë marrë formimin e tyre në fundin e periudhës së socializmit dhe në fillimet e ndryshimeve demokratike. Koncepti i tyre është kryesisht figurativ, ku prania e njeriut është e dukshme tek të gjithë. Secili ka zhvilluar një individualitet të spikatur, duke krijuar një mozaik të larmishëm stilesh e kompozimesh.”

Në veprat e tyre spikasin tone të forta ekspresiviteti, simbolikë filozofike e shpesh mistike.

 Pino Bonanno e ka quajtur këtë tablo të gjerë të artit shqiptar “Shkolla Shqiptare e Pikturës”.

Ndërkohë, Anila Zajmi-Katanolli thekson gjithashtu se fuqia grafike dhe shpërthimi i ngjyrave, që vërehet në punët e artistëve shqiptarë mbart një nënshtresë historike e emocionale, të lidhur me përjetimet e periudhës së mungesës së lirisë gjatë Realizmit Socialist.

Ekspozita “Inclusiv” është pjesë e përpjekjeve të Bashkisë së Grožnjanit për të forcuar marrëdhëniet kulturore ndërkombëtare dhe për të promovuar diversitetin artistik në hapësirën evropiane. Katanolli vëren se mikpritjen e shfaqur në Kroaci, dëshirojnë ta përsërisin edhe në Shqipëri, këtë herë, duke pritur artistët shqiptarë ata kroatë.

Ekspozita “Inclusiv” u çel më 18 tetor dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 tetor.