Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2016, vetëm 10% e huasë që ishte dhënë për individët ishte në vonesë prej më shumë se tre muajsh, nga 13% që kishte qënë ky tregues një vit më parë.
Historikisht, bankat kanë konstatuar se individët kanë qënë më të rregullt me kthimin e huave. Kjo lidhet me faktin që në pjesën më të madhe ata marrin hua për të blerë një shtëpi për të banuar dhe bëjnë ç’është e mundur për ta shlyer atë, në të kundërt rrezikojnë që përmbaruesi t’u marrë shtëpinë.
Por ndryshe është situata me bizneset. Kryesisht ato vijojnë të jenë problematike me kthimin e huave që kanë marrë nga bankat, e cila është në të njëjtin nivel me vitin e kaluar, 21.4% në rritjen e fortë të huasë së pakthyer në afat në banka ndikoi dhe përqëndrimi i lartë i disa kompanive, ku 35 sipërmarrës krijuan 65% të kredisë së keqe të sistemit. Ndërkohë një pjesë e këtyre kompanive tashmë janë në fazë ristrukturimi, ndërsa për 7 prej tyre ka nisur proçedura e falimentimit.
Për sa i përket ndarjes së kredive me probleme sipas monedhës, sipas Bankës së Shqipërisë rezulton se portofoli i kredive me probleme në valutë paraqet një tregues më të lartë me 21.5% (20.3% në fund të vitit të kaluar), krahasuar me portofolin e kredive në lekë me 13.7% (15% në fund të vitit të kaluar).
Kreditë në valutë janë marrë më së shumti nga biznesi dhe nga ana tjetër ato janë prekur nga zhvlerësimi i fortë i lekut pas vitit 2008, ku monedha e përbashkët kërceu nga 124 lekë në 140 lekë në periudhën 2010-2015, ndërsa aktualisht ka zbritur sërish në rreth 132-133 lekë.
Ndërsa në muajin maj 2017, treguesi i kredisë me problem zbriti në 15.86%, në krahasim me 16.6%, që ishin muajin e mëparshëm.
Gjatë dy viteve të fundit bankat kanë zbatuar proçesin e fshirjes së huave, sipas të cilit hiqen nga bilancet e bankave kreditë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, ndërsa ato vazhdojnë të ndiqen nga bankat.
Huatë me probleme janë ulur ndjeshëm nga niveli i tyre më i lartë prej gati 25%, që arrin në tremujorin e tretë të vitit 2014./Monitor
Redaksia online
D.M/Shqiptarja.com