/ATSH/- Sektori i peshkimit do të përfitojë rimbursim të tatimit mbi vlerën e shtuar në masën 80 për qind për karburantin e blerë për ushtrimin e veprimtarisë.
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një ndryshim tjetër në politikat fiskale për industrinë e peshkimit në vend, duke mbështetur uljen e kostos së peshkimit.
Ndryshimi në udhëzimin për tatimin mbi vlerën e shtuar, për përfitim te rimbursim të TVSH në masën 80% nga 10 % që ishte më parë, është ndërmarrë pak ditë më parë nga ministria e Financave dhe tashmë ka hyrë në fuqi.
Nga fillimi i këtij viti, sektori i peshkimit ka përfituar heqje e reduktim taksash përmes ndryshimeve në paketën fiskale. Por furnizimi me karburant mbetet një element qendror në koston e peshkimit, duke zënë thuajse gjysmën e totalit të shpenzimeve.
Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me ekspertët e BE-së, prezantoi pak muaj më parë Strategjinë e Peshkimit në Shqipëri, e cila synon t'i japi frymëmarrje sektorit të peshkimit për ta bërë atë konkurrues jo vetëm në 410 kilometra vijë bregdetare që ka Shqipëria, por e kombinuar dhe me shfrytëzimin e ujërave të brendshme, ta sjelli peshkimin në parametrat evropiane dhe konkurrues me fqinjët.