Pozita e Gianni Infantinos si president i FIFA-s është tronditur seriozisht. Pas deklaratave shumë të ashpra të UEFA-s dhe Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) kundër idesë për të lejuar fondet private të investimit të hyjnë në strukturën aksionare të FIFA-s, për të tani duken të mundshme vetëm dy rrugë.
E para është më e thjeshta dhe më pak konfliktuale, dorëheqja. E dyta do të ishte një përplasje e hapur institucionale, paraqitja e një mocioni mosbesimi. Nëse kjo ndodh, Infantino do të bëhej presidenti i parë në historinë e FIFA-s që rrëzohet me mocion mosbesimi.
Si funksionon mocioni i mosbesimit
Këshilli i FIFA-s, i përbërë nga 37 anëtarë, është i detyruar të thërrasë një Kongres të Jashtëzakonshëm nëse merr një kërkesë me shkrim nga të paktën një e pesta e federatave anëtare.
FIFA ka 211 federata anëtare, që do të thotë se mjaftojnë 43 kërkesa për të thirrur Kongresin. Vetëm UEFA, me 55 federata anëtare, i ka votat e nevojshme për ta bërë këtë.
Pasi paraqitet mocioni i mosbesimit, ai duhet të miratohet me shumicë të thjeshtë, pra me të paktën 106 vota.
Edhe në këtë rast, shifrat nuk janë në favor të Infantinos. UEFA, AFC dhe CONCACAF së bashku kontrollojnë 143 vota, shumë më tepër se minimumi i nevojshëm. Pikërisht këto tre konfederata kanë shprehur publikisht kundërshtimin e tyre të plotë ndaj propozimit të Infantinos për përfshirjen e kapitalit privat në FIFA.
Zgjedhjet e ardhshme
Në vitin 2027 do të zhvillohen zgjedhjet për presidentin e FIFA-s. Deri para krizës së ditëve të fundit, rizgjedhja e Infantinos për një mandat të katërt konsiderohej pothuajse e sigurt, aq sa nuk kishte asnjë kandidat të gatshëm ta sfidonte.
Megjithatë, zhvillimet e fundit mund ta ndryshojnë këtë skenar. Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s dhe një nga kundërshtarët më të fortë të Infantinos, thuhet se po shqyrton mundësinë e kandidimit.
Një tjetër emër që po qarkullon është ai i Arsene Wenger, aktualisht Drejtor i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA. Wenger konsiderohet aleat i Infantinos dhe emërimi i tij në këtë post është bërë nga vetë presidenti aktual, ndaj kandidatura e tij do të përfaqësonte vazhdimësinë e politikave aktuale.
Një tjetër kandidat i mundshëm është Victor Montagliani, presidenti aktual i CONCACAF-it. Nëse Infantino vendos të kandidojë sërish, kundërshtarët e tij do të kenë afat deri më 16 nëntor 2026 për të paraqitur kandidaturat, ndërsa zgjedhjet do të mbahen në prill të vitit 2027.
Hapat e ardhshëm
UEFA, AFC dhe CONCACAF thuhet se kanë përgatitur tashmë disa strategji në rast se Infantino vendos të kandidojë për një mandat të katërt në zgjedhjet e prillit 2027.
Ndër masat kryesore është një bojkot i mbledhjeve të Këshillit të FIFA-s, duke refuzuar pjesëmarrjen në to. Për më tepër, po shqyrtohet edhe mundësia e krijimit të turneve ndërkombëtarë paralelë, jashtë strukturës së FIFA-s.
"Të gjithë janë plotësisht të bindur se ai duhet të largohet. Nëse nuk e bën këtë vullnetarisht, ne do të përdorim çdo mjet të nevojshëm për ta larguar nga pushteti. Kjo përfshin edhe organizimin e kompeticioneve të reja ndërkombëtare. A do të preferonin kombëtaret e mëdha të Amerikës së Jugut të luanin kundër Francës apo Spanjës, apo kundër Libanit dhe Xhibutit?", deklaroi një burim pranë organizatorëve të kësaj nisme.
Infantino kërkon ndihmën e Trump
Gianni Infantino ka kërkuar mbështetje nga presidenti amerikan Donald Trump për të ruajtur postin e tij. Sipas raportimeve të “New York Post” dhe BBC, Infantino kishte planifikuar një bisedë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Megjithatë, burime pranë FIFA-s kanë mohuar për “Fox Neës” se ka pasur ndonjë telefonatë mes Infantinos dhe Rubios apo ndonjë anëtari tjetër të kabinetit të Trump.
Një burim i cituar nga mediat ndërkombëtare ka deklaruar se presidenti i FIFA-s ndihet “i izoluar” dhe po kërkon aleatë të profilit të lartë që mund ta mbështesin publikisht në këtë periudhë të vështirë.
Gianni Infantino ka kërkuar mbështetje përballë rebelimit të brendshëm të UEFA-s kundër tij. Disa federata, përfshirë Finlandën dhe Uellsin, kanë njoftuar se nuk do ta mbështesin rizgjedhjen e presidentit të FIFA-s marsin e ardhshëm. Anglia pritet të ndjekë të njëjtën rrugë. UEFA dhe CONCACAF gjithashtu kanë shprehur publikisht kundërshtimin e tyre ndaj planit, duke kërkuar përkatësisht dorëheqjen e Infantinos dhe një "riorganizim të plotë" të presidencës.








Komente
Komento