Fituesit e fazës së dytë që konkuruan nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” përzgjodhën sipas renditjes së pikëve, vendet e lira të punës në qendrat shëndetësore dhe spitalet publike.
Pas Tiranës dhe Fierit, kandidatët që u shpallën fitues përzgjedhon sipas pikëve të marra në dy fazat e konkurimit, 21 vende vakante të krijuara për infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore teknike në qarkun e Gjirokastrës.
Fituesit u listuan sipas pikëve, ku përveç fituesve nga konkursi i fundit, janë përfshirë edhe fituesit e dalë nga testimi i parë por që deri tani nuk kishin përzgjedhur vendet e punës ekzistuese. Fituesit janë pozicionuar sipas pikëve që kanë marrë, duke përzgjedhur të parët vendin e punës, ata që kanë numrin më të madh të pikëve, sipas renditjes.

Procesi i testimit të kandidatëve në platformën “Infermierë për Shqipërinë” ka qenë një proces transparent në të gjitha fazat e tij, që nga regjistrimi, testimi, procesi i ankimimit, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve dhe përzgjedhjes së vendeve të reja të punës me bazë merite, në bazë të pikëve të marra nga secili kandidat nga të gjitha fazat e konkurimit.
Deri tani, me portalin “Infermierë për Shqipërinë” janë punësuar 592 infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore teknike në spitalet dhe qendrat shëndetësore publike.
/Shqiptarja.comKomente

