Ministria e Shëndetësisë njofton se fituesit e fazës së dytë që konkurruan nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” përzgjodhën sipas renditjes së pikëve, vendet e lira të punës në qendrat shëndetësore dhe spitalet publike.
Vetëm për qarkun e Tiranës, kandidatët që u shpallën fitues përzgjedhën sipas pikëve të marra në dy fazat e konkurrimit, 45 vende vakante të krijuara për infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore teknike.
Ministria bën me dije se në listën fituese janë aktualisht 144 kandidatë në qarkun e Tiranës, të listuar sipas pikëve, ku përveç fituesve nga konkursi i fundit, janë përfshirë edhe fituesit e dalë nga testimi i parë por që deri tani nuk kishin përzgjedhur vendet e punës ekzistuese. Fituesit janë pozicionuar sipas pikëve që kanë marrë, duke përzgjedhur të parët vendin e punës, ata që kanë numrin më të madh të pikëve, sipas renditjes.
“Procesi i testimit të kandidatëve në platformën “Infermierë për Shqipërinë” ka qenë një proces transparent në të gjitha fazat e tij, që nga regjistrimi, testimi, procesi i ankimimit, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve dhe përzgjedhjes së vendeve të reja të punës me bazë merite, në bazë të pikëve të marra nga secili kandidat nga të gjitha fazat e konkurimit. Gjatë javës në vijim do të mblidhen komisionet për të vijuar procesin e pëzgjedhjes së vendeve të punës nga fituesit dhe për qarqet e tjera”- thotë ndër të tjera Ministria e Shëndetësisë.