Infermierja shqiptare në muajin e fundit të shtatzënisë por në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19: Më jep forcë bebja ime

Infermierja shqiptare në muajin e fundit të shtatzënisë por në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19: Më jep forcë bebja ime

Infermierja Armida Brahja Hoxha

Armida Bahja Hoxha është një infermiere shqiptare që punon në Teksas të SHBA-së.

Ajo është në ditët e fundit të shtatzënisë por kjo nuk e ka dekurajuar për të vazhduar punën, si pjesë e ekipit në frontin e parë të luftës kundër COVID-19.

Armida thotë se bebja e saj që pret ta takojë së shpejti, i jep forcë dhe e bën të vazhdojë të qendrojë në krye të detyrës për t’u shërbyer me përkushtim pacientëve me koronavirus.

Intervista në SHBA është realizuar nga gazetarja dhe shkrimtarja Kozeta Zylo.

Jam befasuar kur pashë që një grua shtatzanë në muajin e nëntë shërben nëFrontin e Luftës, ndërkohë ndihem tejet krenare që ju vazhdoni t’u shërbeni të sëmurëve.  Cila është detyra juaj konkretisht dhe ku punoni?

Faleminderit që më dhatë mundësinë të ndaj përvojën time me ju në lidhje me këtë krizë. Unë punoj si një Infermiere e Regjistruar (RN) në një nga spitalet më të mëdha në Hjuston Teksas. Unë punoj në Vendosjen e Kujdesit Akut (Acute Care Setting), ku presim dhe trajtojmë pacientët në fazën kritike të sëmundjes.Nga këtu në varësi të rezultatit pacienti mund të transferohet në njësinë e kirurgjisë/mjeksisë nëse gjendja përmirësohet ose në ICU nëse gjendja përkeqësohet.

Domethënë ju jeni 2 veta që po i shërbeni popullit amerikan? Jeni e frikësuar për bebin tuaj dhe a keni status të vecantë si grua shtatzënë?

Po, mund të thuash se jemi dy persona të cilët u shërbejmë pacientëve, unë dhe foshnja ime e palindur. Ai mua më jep forcën për të vazhduar më tej. Për mua frika më e madhe është se mund të lind nga momenti në moment, por për sa i përket frikësimit nga infeksionet, besoj se flas për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetsor, kur them se kur hasim këto lloj vështirësish, frika zë pozicionin e dytë ose “back seat” siç themi në Amerikë. Frika tejkalohet, natyrisht, me përdorimin e kujdesshëm të pajisjeve mbrojtëse, megjithëse ato janë të vogla në numër dhe përkohësisht me kursim.  Sa i përket statusit të veçantë në këtë situatë, është pak vështirë, por mund të them se kam pasur ca lehtësime dhe ndihmë, sidomos kur u futa në javën e 38 të shtatzanisë. Madje keto javët e fundit kam bërë më shumë turne nate, ku lëvizja e njërëzve është më e paktë gjithashtu dhe nevojat e pacientëve janë më të ulëta. Por, momentalisht, ne jemi “all hands on deck”, siç thonë në Amerikë. Ne punojmë si ekip dhe kolegët e mi më ndihmojnë shumë sidomos në lëvizjen e pacientëve. Për fat të mirë, numri i pacientëve të prekur nga Covid-19, të cilët kanë nevojë për “Kujdesin Akut” në spitalin tonë është ende i ulët, i menaxhueshëm dhe nën kontroll.

Sa kohë keni që punoni si infermiere në Amerikë?

Unë lëviza në Amerikë, në shtator 2017, fillimisht punova si një Ndihmëse Infermierie gjatë kohës që m’u njoh diploma nga Bordi i Infermerisë në Teksas dhe më pas kalova si infermiere në prill 2019.

Si u ndjetë kur ju dhanë detyrën se do të jeni në vijën e parë të Frontit të Luftës?

Në fakt, detyrën nuk ma dhanë, unë e kërkova atë që në momentin kur hyra në këtë fushë. Unë besoj se kushdo që e bën këtë detyrë ka një pasion të veçantë për t’u kujdesur dhe lehtësuar dhimbjen e atyre që kanë nevojë. Kjo është ajo që më shtyn të vazhdoj të luftoj për këta njerëz derisa të mundem edhe kur kam parasysh që kolegët e mi kanë nevojë për mua. Diçka e veçantë krijohet kur jemi në situata të tilla “në frontin e betejës”, siç përmendet ju, një “band of brothers” ose shokë luftëtarë. Prandaj duke iu përgjigjur pyetjes suaj, ndihem krenare të bëj pjesën time për njerëzimin në këto momente të vështira.

Ju punoni për ICU, sipas informacioneve që kam nuk ju vendoset tubi të gjithë pacientëve, si bëhet përzgjedhja e pacientëve? Ndiheni keq që nuk është mundësia për të gjithë?

Atëherë, unë punoj në Kujdesin Akut, i cili është procesi para se pacienti të shkoj në ICU. Ne kujdesemi që të parandalojmë vajtjen e tij në ICU. Për fat të mirë në Hjuston, përqindja e pacientëve që kanë nevojë për kujdes intensiv është ende e ulët dhe ne kemi kushte dhe hapësirë ​​për çdo person tani për tani. Stafi i ICU bën çdo përpjekje për të shpëtuar jetën e çdo pacienti. Ne momentalisht nuk jemi në fazën ku mund të zgjedhim kush do të marr respirator apo jo dhe shpresoj që të mos jemi kurrë në atë fazë. Por në se do të ishim, vendimi do të merrej nga mjekët e ICU dhe besoj se kjo do të varej nga situata e pacientit dhe perqindja e mundësisë që pacienti ka për te mbijetuar. Janë vendime tepër të vështira edhe ende më të vështura për t’u zbaturar, por kur përballemi me dy të këqia, do zgjedhim të keqen më të vogël. Sigurisht që për ne humbja e pacientit nuk është e dicka që erdhi me këtë virus, në repartin tonë ndodh shpesh dhe normale  që humbja e çdo pacienti është e rëndë, por ne gjejmë mbështetje tek Zoti, sepse në fund të fundit bëjmë atë që kemi në duart tona.

A mendoni se do të zhduket së shpejti kjo epidemi globale?

Besoj se po. Nuk është hera e parë që kemi hasur epidemi apo pandemi dhe nuk besoj se do të thotë që njerëzimi do të shuhet. Faktikisht nga statistikat, megjithëse është një sëmundje shumë ngjitëse, numri i atyre që kanë nevojë për kujdes të veçantë është i ulët dhe numri i vdekjeve është gjithashtu i ulët. Problemi është gjithmonë në fluksin e pacientëve. Ndoshta keni dëgjuar se këtu në Amerikë kemi shumë probleme në plotësimin e stafit. Ne nuk kemi mjekë apo infermierë të mjaftueshëm . Në qoftë se kemi qenë në nevojë më parë, jemi sot ende me më shumë nevojë. Diçka kjo që e ka rënduar edhe më shumë sistemin tonë shëndetsor. Kështu që për mua kjo është sfida jonë e parë, sfida e dytë janë mjetet e mbrojtjes dhe ventilatorët që shpresoj se do të vijnë me bollëk se shpejti. Unë gjithashtu besoj se populli amerikan ka diçka shumë të veçantë, është një popull shumë bujar dhe inovator. Besoj se zgjidhja do të vijë nga bizneset amerikane të mëdha, por pse jo dhe të vogla. Kjo do të na lehtësojë barrën. Gjithashtu mendoj se amerikanët janë një popull i ndëgjegjshëm. Edhe pse është e vështirë te mbash “social distance”, distancë sociale, besoj se njerëzit janë të vetëdijshëm dhe shoh që rregullat po zbatohen në shumicën e rasteve. Kjo do të ndihmojë në zvogëlimin e infeksioneve, të paktën derisa të gjendet kurimi.

Në Amerike jetojnë shumë emigrantë shqiptarë. Keni pasur paciente shqiptarë? Mund të na përshkruani emocionet tuaja si infermiere dhe si shqiptare?

Fatmirësisht deri tani, nuk kemi pasur asnjë pacient shqiptar në spitalin tonë dhe dëshiroj që të mos të kemi kurrë. Në fakt, nuk i uroj askujt këtë sëmundje, pavarësisht, se çfare janë, por normal që besoj se situata do të ishte akoma më e dhimbshme sikur pacienti të ishte shqiptar. Njohja me kulturën tonë, vuajtjet tona, sakrificat tona, duke njohur dinamikën e familjes, besoj se do ta pësoja humbjen e një pacienti shqiptar sikur po humbisja një anëtar të familjes.

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare dhe infermiere në spitalet e Amerikes?

Unë besoj se Shqipëria e ka menaxhuar shumë mirë situatën deri tani. Madje mund të them që ata ndërmorën veprime serioze shumë më herët se këtu në Amerikë. Kjo për disa arsye. Së pari, Shqipëria është shumë afër Italisë, e cila e dimë që pësoi raste tragjike dhe hyrjet e daljet me Italinë janë shumë të shpeshta. Shqipëria gjithashtu mori parasysh aftësinë e saj. Ata e dinë shumë mirë që sistemi shëndetësor është i brishtë. Në këto raste është më mirë të ndërmerren masa më të rrepta sa më herët, sesa të mos merren dhe  të dëshirosh më vonë që t’i kishe marrë ato. Kështu që reagimi i tepërt, nëse mund ta quaj kështu, për mendimin timë ishte i nevojshëm. Këto masa janë shumë të padëshirueshme dhe shumë të panatyrshme për kulturën dhe popullin tonë, por besoj se ato janë të nevojshme. Gjithashtu dua të shtoj se isha shumë krenare kur pashë epikin mjeksor shqiptar që u nis në Itali.

E kishit endërr të punonit në shëndetësi?

Po, kam e kam pasur ëndërr që kur kam qenë e vogël. Mbaj mend kur gjyshja ime u sëmur, para se te humbte jetën, i rrija në kokë dhe u ndjeva shumë e pafuqishme për ta shëruar atë. Besoj se qysh atëherë kam pasur një dëshirë për të shëruar njerëzit.

Për të shuar kuriozitetin e lexuesve le të hidhemi në fëmijërinë tuaj.  Cila është fëmijëria juaj, origjina dhe çfarë do të kujtoni më shumë prej saj?

Unë kam lindur në qytetin e bukur të Elbasanit. Situata ekonomike në Shqipëri bëri që unë dhe familja ime, si shumë shqiptarë, të merrnim rrugën e emigrimit dhe në moshën 10 vjeç, u gjenda në Itali. Si çdo emigrant shqiptar, jeta në mërgim ka pasur sfidat e veta. Unë besoj se ato kujtime dhe sakrificat e para do të mbahen në kujtesën time. Kanë qenë kohë të vështira, por edhe të bukura. Edhe pse vetë isha fëmijë, isha e madhja dhe kujdesesha për motrën dhe vëllain tim të vogël i cili erdhi në Itali ende foshnje. Prindërit punonin si shumë emigratë, nga 2 apo 3 punë. Në Itali ishim të kufizuar, por siç të gjithë e dimë, edhe jo shumë të dëshiruar. Por, mua kjo më ka shtyrë edhe më shumë. Sidoqoftë, unë Italinë e kam për zemër, atje u rrita dhe u shkollova, gjithashtu mora eksperincen dhe diplomën si infermiere. Kam jetuar në Itali derisa njoha bashkëshortin tim. Ne u njohëm në Shqipëri kur të dy ishim me pushime, ai kishte ardhur nga Amerika dhe unë nga Italia.

Cila është familja juaj në Amerikë?

Përveç bashkëshortit dhe djalit që pritet nga dita në ditë, unë këtu kam një kushërirë shumë të ngushtë, pothuajse si një motër, e cila gjithashtu martuar këtu në Amerikë, po ashtu si unë është infermiere. Bashkëshorti im ka dhe familjen e tij këtu, disa prej tyre janë gjithashtu në frontet e para duke punuar për dyqanet ushqimore të cilat kanë bërë një punë të mrekullueshme këtu me furnizimet ushqimore. Kam edhe një rreth të ngushtë shoqëror shqiptar, të cilin e konsideroj familje.

Sa është i shqetësuar bashkëshorti juaj, familja, apo kudo ku ata jetojnë pasi ju jeni direkt në Luftë dhe shtatzanënë në front të Luftës?

Bashkëshorti im në fakt është mbështetës i vendimeve që kam marrë në karrierën time, por sigurisht që ai është shumë i shqetësuar për këtë situatë që ndodhemi, akoma më tepër për kushtet e mija fizike. Madje mund të them që këto ditë, lart e poshtë në punë, me turrne të ndryshme, nuk më lejon t’i jap makinës dhe më shoqëron kudo. Familja ime në Itali është e shqetësuar si dhe familja e bashkëshortit tim këtu, por unë jam në javën e fundit dhe përderisa situata është ende e manaxhueshme, siç e thashë edhe më parë, do të përpiqem të bëj atë që mundem edhe te jap kontributin tim para se të marr lejen e lindjes dhe besoj se familja ime e kupton këtë.

Dhe së fundi, mendoni se një ditë do te ktheheni në Shqiperi për të ofruar përvojën tuaj si infermiere e  specializuar e ardhur nga një shtet me mjekësinë më të zhvilluar në botë?                 

Meqenëse kam qenë në emigrim tërë jetën time, unë e njoh Shqipërinë shumë pak, të paktën nga një qëndrim profesional. Por besoj se mund të them që të kthehesh në Shqipëri dhe të japësh kontributin, është një ëndërr për çdo fëmijë emigrant. Gjithmonë sytë dhe zemërën nga Shqipëria i kemi. Nëse piqen kushtet, pse jo? Do doja shume te jepja kontributin tim. Por më që po flasmin për kontribut, ju lutem më lejoni t’jua kushtoj këtë të gjithë shqiptarëve në të gjithë botën që janë në vijën e parë të kesaj epidemie globale në situata shumë me të rënda sesa ajo e imja, veçanërisht shqiptarëve në Neë York, mendimet dhe lutjet tona janë per ju.

Ju faleminderit zonja Hoxha për bisedën dhe paci shëndet!

Ju faleminderit juve! Ju uroj gjithë të mirat ju dhe lexueseve juaj. Ne jemi në këtë së bashku ku dhe do të ia dalim mbanë.

Foto nga Armida

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • xXx: 03/04/2020 16:47

    Në situatë normale nuk punohet deri në muajin e nëntë të shtatzanisë,në këtë situatë mund të quhet"papërgjeshmëri vrasëtare"...

    Përgjigju
  • Tini: 03/04/2020 15:39

    Hallall e paç moj vajz trime. Bofsh një burrokoç të bukur.

    Përgjigju
  • Ori: 03/04/2020 15:00

    Drite dielli bukuroshe. E pac me jete bebushin dhe vec mbaresi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve