/ATSH/- Banka e Shqipërisë bën të ditur se, nivelet e ulëta të inflacionit gjatë tremujorit të fundit i detyrohen më së shumti rënies së inflacionit të importuar.

Në një publikim analitik të zhvillimeve aktuale e pritshmërisë ekonomike në vend, Banka Qendrore vëren se, inflacioni 0,7% në muajin dhjetor 2014 u diktua nga rritja e ulët e çmimeve të prodhimeve ushqimore dhe nga rënia e vazhduar e çmimit të naftës, e cila ka ulur më tej kostot e prodhimit e të transportit të mallrave dhe të shërbimeve.

"Ambienti i jashtëm ekonomik ka ushtruar presione dizinflacioniste mbi ekonominë shqiptare dhe kjo tendencë pritet të jetë e pranishme edhe gjatë fillim vitit 2015, bën të ditur BSH-ja.

Duke reflektuar mbi projeksionet për presione të ulëta inflacioniste dhe mbi praninë e kapaciteteve të pashfrytëzuara në ekonomi, Banka e Shqipërisë uli të mërkurën me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit në muajin nëntor. Kjo ishte lëvizja e tretë në drejtim të lehtësimit të kushteve monetare gjatë vitit 2014.

Stimuli monetar ka mundësuar reduktimin normave të interesit dhe përmirësimin e kushteve të financimit në ekonomi. Ndërkohë, kostoja e huamarrjes së qeverisë ka pësuar një rritje të lehtë, si pasojë e zhbalancimit të kërkesës dhe të ofertës në këtë treg.