Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi një vizitë në Lezhë, ku u prit në një takim nga Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu e ku morën pjesë edhe Kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë, Kristian Gjidodaj, Presidenti i KF Besëlidhja, Pjerin Fusha, si edhe specialistë të futbollit lezhjan.
Gjatë takimit, që u zhvillua në ambientet e SHRFL nën moton “Së bashku për zhvillimin e futbollit lezhjan”, u diskutua mbi zhvillimin e futbollit në rajonin e Lezhës, mbështetjen për talentet e reja, si edhe projektet infrastrukturore që synojnë përmirësimin e kushteve për ekipet dhe akademitë sportive.
Presidenti Duka vlerësoi kontributin e futbollit lezhjan ndër vite dhe theksoi rëndësinë që ka ky rajon për zhvillimin e futbollit shqiptar.
“Lezha është një nga rajonet që vërtet e do shumë futbollin dhe ka kontribute të kahershme në zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Përveç kësaj, është një nga rajonet që ka numër më të madh futbollistësh në raport me numrin e popullsisë dhe kjo do vlerësuar dhe do mbështetur akoma më shumë. Ky numër futbollistësh është rritur falë punës tuaj, Shoqatës Rajonale Lezhë, padyshim mbështetjes së bashkisë dhe Federatës. Por gjithsesi në kushte të vështira infrastrukturore. Po të kemi dhe një infrastrukturë më të mirë, duke pasur parasysh gjithë njerëzit e Lezhës, çdo prind në Lezhë do ta bëjë djalin futbollist dhe ne duam që t’i bëjmë edhe vajzat futbolliste”, u shpreh Duka.
Presidenti i FSHF-së përgëzoi gjithashtu drejtuesit e Besëlidhjes për sezonin e zhvilluar dhe rikthimin në Kategorinë e Parë.
“Duhet të falënderoj Kryetarin dhe Pjerinin, për rezultatin e ekipit të parë dhe ngjitjen në Kategorinë e Parë, bindëse dhe pa asnjë dyshim gjatë gjithë kampionatit. Uroj që të bëjnë një kampionat akoma më të mirë. Ne jemi këtu për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm për futbollin në Lezhë. Të mbështesim ekipin e parë, sepse ekipi i parë është ai që udhëheq për të sjellë më shumë fëmijë dhe për të pasur më shumë mundësi për talente. Në fund të fundit ekipi do të jetë akoma më atraktiv për qytetin kur të ketë më shumë fëmijë nga Lezha, kur të ketë më shumë të rinj nga Lezha dhe lidhja krijohet më organike”, deklaroi presidenti Duka.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe infrastruktura sportive dhe projektet e ardhshme për qytetin e Lezhës.
“Konkretisht jam shumë i bindur që ne bashkë me kryetarin e bashkisë mund të bëjmë projekte të mira zhvilluese infrastrukturore, qoftë për të përmirësuar në një farë mase, sepse kryetari ka në projektin afatgjatë që të bëjë një stadium në një vend tjetër, por të paktën për të përmirësuar në një kohë afatshkurtër kushtet e stadiumit aktual dhe për të ndërtuar një bazë stërvitore qoftë për fëmijët, për amatorët dhe për profesionistët”, përfundoi presidenti i FSHF-së.
Presidenti i ekipit të Besëlidhjes, Pjerin Fushaj, tha se objektivi është ngjitja në Superligë, por kërkoi mbështetje sa i përket infrastrukturës sportive, e cila ka probleme. Ndërsa drejtuesi i Shoqatës Rajonale të Futbollit, Kristjan Gjidodaj, tha se Lezha ka prodhuar numrin më të lartë të futbollistëve në vend në raport me numrin e popullsisë.
Të gjithë shprehën gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të futbollit në rajon dhe krijimit të më shumë mundësive për të rinjtë lezhjanë.
Komente







