Testi më i madh për gjeopolitikën amerikane vjen nga Kina është shprehur kështu William Burns, i nominuari i presidentit amerikan Joe Biden për të udhëhequr Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Burns, i cili ka shërbyer më parë si ambasador në Rusi dhe Jordani, i bëri këto deklarata gjatë seancës së konfirmimit të tij në këtë pozitë, para Komitetit të Senatit për Inteligjencë.
Ai e konsideron Kinën “të frikshme dhe kundërshtare autoritare”, që është duke rritur fuqinë për të vjedhur pronën intelektuale, për të shtypur njerëzit e saj, dhe për të ndërtuar ndikim brenda Shteteve të Bashkuara, por që gjithsesi ka theksuar se mund të ketë hapësirë për bashkëpunim me Pekinin, në fushat si ndryshimet klimatike dhe mospërhapja e armëve bërthamore.
“Për aq kohë sa Vladimir Putin është lider i Rusisë, ne do veprojmë në një fushë të ngushtë të mundësive, kundrejt konkurrencës së ashpër të kundërshtarit”, ka thënë ai.
Sipas tij, sulmet e fundit kibernetike në departamentet e Qeverisë amerikane, mbrapa të cilave besohet se është Rusia, shpërfaqin rreziqet e nënvlerësimit të Kremlinit dhe shërbejnë si thirrje “e ashpër zgjimi” për dobësitë e zinxhirëve të infrastrukturës kritike.
Burns, 64-vjeçar, pritet të fitojë konfirmimin dhe të bëhet diplomati i parë i karrierës që drejton CIA-n.
Komente

