TIRANE - INSTAT ka publikuar rezultatet e anketës strukturore të ndërmarrjeve ekonomike për vitin 2012.

Sipas rezultateve të anketës, në prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve, shifra e afarizmit në vitin 2012 u rrit 9,5% krahasuar me vitin 2011.

Numri i të punësuarve gjithsej dhe investimet u rritën përkatësisht 5,4% dhe 13,2%, ndërkohë që edhe numri i ndërmarrjeve është rritur në masën 2,9%. 

Prodhuesit e shërbimeve zënë 84,4% të numrit të ndërmarrjeve dhe realizuan 63,8% të shifrës së afarizmit. Prodhuesit e të mirave kanë 41,1% të të punësuarve dhe realizuan 60,8% të investimeve.

Gjatë vitit 2012, ndërmarrjet aktive në sektorin e tregtisë zënë 46,8% të numrit të ndërmarrjeve gjithsej. Shifra e afarizmit nga ky sektor përbën 48,9 % të shifrës së afarizmit gjithsej. Përfaqësim të lartë në punësim ka sektori i industrisë me 30% të të punësuarve gjithsej. Gjithashtu, ky sektor ka realizuar 48,5% të investimeve gjithsej.

PERMASAT
Ndërmarrjet me 20 e më shumë të punësuar dominojnë ekonominë shqiptare. Këto ndërmarrje realizuan 62,7% të shifrës së afarizmit. Ky grup ndërmarrjesh ka 46% të të punësuarve gjithsej dhe ka realizuar 67% të investimeve. Në këtë grup dominojnë prodhuesit e mallrave.
Ndërkohë, ndërmarrjet me 1 – 4 të punësuar përbëjnë 90,8% të ndërmarrjeve. Ky grup ndërmarrjesh ka realizuar 14,4% të shifrës së afarizmit dhe ka siguruar punësim për 37,3% të të punësuarve gjithsej. Ndërmarrjet e vogla janë dominuese në sektorin e shërbimeve.

Në prodhuesit e mallrave, shifra e afarizmit është rritur 7% krahasuar me vitin 2011. Numri i të punësuarve dhe investimet u rritën këtu përkatësisht 0,2% dhe 2,9%. Por, numri i ndërmarrjeve aktive është ulur 7,4%.

Në sektorin e industrisë, gjatë vitit 2012, shifra e afarizmit arriti vlerën 371 miliardë lekë. Ky sektor ka 72,9% të të punësuarve dhe realizoi 79,9% të investimeve të ndërmarrjeve prodhuese të mallrave. Ndërmarrjet aktive të këtij sektori përbëjnë 73,9% të numrit të ndërmarrjeve në këtë grup. Shifra e afarizmit për sektorin e industrisë është rritur 13,1% krahasuar me një vit më parë. 

Ndryshe paraqitet situata për sektorin e ndërtimit, ku shifra e afarizmit u ul 4,2% krahasuar me vitin 2011. Në sektorin e industrisë është shënuar rritje e numrit mesatar të punësuarve prej 1,8% krahasuar me vitin 2011, ndërsa sektori i ndërtimit ka patur ulje 3,9% të këtij treguesi.


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)