INSTAT: Në nëntë muaj ekonomia
shqiptare u zgjerua me 3.27 për qind

INSTAT: Në nëntë muaj ekonomia<br />shqiptare u zgjerua me 3.27 për qind
INSTAT ka rishikuar me rritje ecurinë ekonomike të vendit për tremujorin e parë dhe të dytë, duke reflektuar të dhënat e reja nga TVSH e paguar nga bizneset dhe bujqësia, ndërsa ka publikuar dhe informacionin për tremujorin e tretë.
 
Për 9-mujorin, zgjerimi i ekonomisë shqiptare ishte 3.27%. Ndërkohë, në tremujorin e tretë, rritja ekonomike ishte 3.08%.
 
Sipas INSTAT, degët kryesore të ekonomisë për tremujorin e tretë të vitit 2016 krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2015 shfaqen si më poshtë:
 
Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 1,57 %; aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati rënie me 2,35% dhe ndikimin kryesor në këtë rënie e ka dhënë nëngrupi Industria Nxjerrëse duke shënuar rënie me 19,57%.
 
Aktiviteti i Ndërtimit pati rritje me 8,33 %. Grupi i aktiviteteve Tregti, Hotele, Restorante dhe Transport pati një rritje prej 6,67 %. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rënie prej 1,16 %.
 
Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 15,40%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 1,53%.
 
Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 1,38%.
 
Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë pati rritje me 1,22%. Grupi i aktiviteteve Shërbime të tjera si Arte dhe argëtim, Aktivitete të tjera shërbimi, Aktivitete të familjes, Aktivitete të familjes për përdorim të vet, Aktivitete të organizatave ndërkombëtar, pati rritje me 13,40 %.
 
Në këto statistika del se rritja është ndikuar kryesisht nga kontributi i turizmit, ndërsa e matur sipas shpenzimeve rritja ekonomike është përcaktuar kryesisht nga ecuria pozitive e investimeve.
 
“Konsumi final i popullatës u rrit me 1.65 për qind, ndërsa prodhimi bruto i kapitalit fiks, pra invesimet në ekonomi u rritën me 11.89 për qind”,
tha drejtoresha Delina Ibrahimaj.
 
Por INSTAT ka rishikuar rritjen ekonomike edhe për dy tremujorët e parë të vitit 2016 dhe sipas tij ajo ka qenë me e larta nga sa ishte vlerësuar më parë. Kjo ka bërë që në total për 9 mujorin e 2016-ës rritja ekonomike të aarrijë në 3.27 për qind nga 2.7 për qind që ishte në 2015.

Edhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka komentuar rritjen ekonomike duke e konsideruar si një lajm shumë të mirë. Ahmetaj u shpreh se kjo rritje është një premisë e vlefshme që në vitin 2017 të synohet një rritje e PBB deri në 3,8 %.
 
Norma prej 3.1% e rritjes ekonomike në tremujorin e tretë, e con nëntë-mujorin në rivlerësim prej rreth 3.3% e PBB. Është vërtet një lajm shumë i mirë për ekonominë, vazhdon rritja dhe përshpejtimi i rritjes ekonomike.
 
Megjithatë dua të theksoj që është një sinjal që ne do të duhet të vazhdojmë domosdoshmërisht reformat në gjithë sektorët në mënyrë që rritja të jetë e qendrueshme dhe të përshpejtohet.
 
Lajm tjetër i mirë është gjithashtu vazhdimësia e rritjes së konsumit, konsolidimi i një sërë sektorëve, përmirësimi i performancës së bujqësisë, përmirësimi i dukshëm i performancës së sektorit të ndërtimit, turizmi me një kontribut shumë serioz dhe pozitiv në rritjen ekonomike, pra këto nuk janë më shenja, këto janë statistika të qendrueshme që Shqipëria ka hyrë në një cikël shumë pozitiv ekonomik.
 
Dhe ndërkohë rritja ekonomike e vitit të kaluar është një premisë shumë e mirë qe ne të vazhdojmë për 2017, të synojmë një rritje 3.7%-3.8% të PBB.
 
Sigurisht besoj që në shifrat indikative të tremujorit të katërt, rritja do të vazhdojë sërish të jetë në këto nivele dhe sërish dua të them që po, është në pritshmëritë që ne kemi pasur me FMN, Bankën Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtare por edhe në përllogaritjet tona të brendshme”,
u shpreh Ahmetaj.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS