Sipas të dhënave administrative për punësimin, në tremujorin e tretë 2013 numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jo-bujqësor është 288.380 persona. Punësimi në këtë sektor u rrit me rreth 2,3 për qind krahasuar me tremujorin e dytë 2013, ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jo-bujqësor është rritur me 5,8%.
Kjo rritje ka ardhur si rezultat i rritjes së numrit të subjekteve lokale në rrethin e Tiranës të regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Punësimi në sektorin shtetëror në tremujorin e tretë 2013 krahasuar me tremujorin e dytë 2013, mbeti i pandryshuar.
(Në foto: Shkalla e papunësisë gjatë tre mujorit të fundit)
RRITET PAGA NË EKONOMI
Sipas raportit të INSTAT, paga mesatare në ekonomi u rrit përsëri vitin e kaluar, pavarësisht presioneve të krizës dhe zbehjes së ritmeve të rritjes ekonomike. Instat bën të ditur se paga mesatare në Shqipëri për vitin 2012 ishte pak më e lartë se 50 mijë lekë, me një rritje prej 7.3 për qind në krahasim me vitin 2011.
Gjithnjë sipas INSTAT, profesionistët më të paguar në Shqipëri janë arsmitarët. Paga mesatare në këtë sektor për vitin e kaluar ishte më shumë se 55 mijë lekë në muaj, me një rritje prej 9% krahasuar me vitin 2011. Ndjekin sektori i industrisë dhe ai i shëndetësisë, ku paga mesatare vitin e kaluar ishte rreth 47 mijë lekë. Sektori ekonomik ku punonjësit paguhen më pak është ndërtimi, me një rrogë mesatare mujore rreth 41 mijë lekë.
“Qeveria e mëparshme ka ndjekur një politikë të rritjes së përvitshme të pagave për punonjësit e sektorit publik, çka ka ndikuar në rritjen e pagës në gjithë ekonominë, jo vetëm përmes efektit direkt në mesataren aritmetike, por edhe përmes konkurrencës për burime njerëzore që kjo politikë i ka bërë sektorit privat. Ndërsa, qeveria e re e ka bërë të qartë se në kushtet e krizës nuk do të ketë rritje të reja të pagave dhe pensioneve, por vetëm indeksim të tyre me inflacionin”, thuhet nga INSTAT.
“Rritja e përvitshme e pagave dhe pensioneve nga qeveria e mëparshme kishte ndeshur rezerva në vlerësimet e ekspertëve të institucioneve financiare ndërkombëtare. Rezervat lidhen jo vetëm me impaktin e rritjes së pagave në treguesit e deficitit dhe të borxhit publik, por edhe në tregues të tjerë makroekonomikë. Rritja e pagave ndikon pozitivisht ekonominë nëpërmjet nxitjes së kërkesës, por, nëse nuk shoqërohet me rritje të produktivitetit të punës dëmton konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve. Në këtë kuptim, presioni i sektorit publik për rritjen e pagave jo domosdoshmërisht sjell efekte pozitive afatgjata në ekonomi”, raporton INSTAT.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)