Kështu nis çdo ditë kursi i instrumentistëve të vegjël në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Fushë-Arrëz. Nga ky institucion, që si pasuri ndër vite ka orkestrinën e instrumentistëve të vegjël, kanë dalë artistë të mëdhenj.
Fatmir Morinaj është njëri nga metodistët e kësaj qendre, pjesë e së cilës janë instrumentistë, këngëtarë, valltarë, piktorë të vegjël e të tjerë. Pasioni duket se i ka mundur vështirësitë, talenti rrjedh magjishëm në duart e këtyre fëmijëve, nga ku kumbon jehona e melodive të folkut tonë. Trashëgimia kulturore shqiptare, si pjesë e identitetit tonë kombëtar, mbetet një kontribut i vyer, sidomos tashmë kur rrezikohet ekzistenca e saj.
Këngët majë krahut janë një tjetër dëshmi se edhe diku në një cep të Shqipërisë, atje në Fushë-Arrëzin e vogël, po ruhen vlera të mëdha.
“Jemi me fat që në këtë kohë të teknologjisë moderne ne kemi fëmijë që e dashurojnë folklorin. Metodisti Fatmir Morinaj po bënë një punë të mrekullueshme me këta fëmijë. Jemi krenarë që këta fëmijë do të na përfaqësojnë në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, siç e ka pasur traditë kjo qendër kulturore”, thotë drejtoresha Rina Simoni.
Orkestrina e instrumentistëve të vegjël, një traditë ndër breza në këtë Qendër Kulturore, është tregues i ruajtjes dhe trashëgimit të kulturës materiale dhe shpirtërore të trevave tona.
“Këta fëmijë kanë të ardhmen përpara. E duan vendin e tyre, e duan artin, e duan kulturën, e duan traditën”, shprehet Fatmir Morinaj.
Ata janë virtuozë të ardhshëm që nuk i kanë munguar kurrë Shqipërisë, janë pasuri e kësaj treve që vlerësojnë çdo detaj në ruajtjen dhe përcjelljen e traditës, e cila sot emocionon më shumë se kurrë.
“Mua më pëlqen si kurs sepse këtu vijmë të mësojmë një instrument që e kemi përzemër dhe një instrument që të parët tanë i binin dhe unë dua të ndjek traditën e gjyshit tim”, thotë njëri prej djemve.
“Këtu te kursi i çiftelisë trashëgojmë dhe ndërthurim traditën e vjetër me të re”, shton një vajzë.
“Dua ta mësoj çiftelinë sepse daja im i ka rënë çiftelisë dhe kur të rritem do të bëhem muzikant”, shprehet një djalë tjetër.
Aftësia teknike në përdorimin e gishtërinjve, larmia ritmike, tingujt, kostumet dhe çdo gjë flasin për aftësinë interpretuese të këtyre fëmijëve, të cilët sot performojnë brenda dhe jashtë vendit si një pasuri tradicionale që duhet ruajtur.
Komente












