JAL- Integrimi i vendit në Bashkimin Europian kërkon realizimin e reformave të shpejta dhe efektive. Ka qenë kjo tema kryesore ku është ndalur Ambasadorja e Republikës Çeke në Tiranë, Bronislava Tomasova, gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë e LRI-së në Akademinë Verore për Politikën në Jalë.
 
Diplomatja çeke ka vënë theksin tek shanset që ka Shqipëria për të marrë statusin e vendit kandidat në BE, si dhe theksoi se janë pikërisht interesat e vendit ato që duhen vënë përpara atyre personale.
 
“Politikanët shqiptarë e kanë marrë tashmë vendimin për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Është shumë e rëndësishme që politikanët të kenë parasysh një parim kudo qofshin ato. Qofshin në qeveri apo qofshin në opozitë ata duhen të marrin vendime që vënë interesat e procesit të integrimit mbi çdo lloj interesi tjetër personal”, tha ajo.
 
Tomasova u shpreh se nevojiten reforma të shpejta dhe efektive për të hedhur bazat për një të ardhme më të mirë për vendin.
 
“Ne kemi pritshmëri shumë të larta nga qeveria e re, por duhet të jemi realistë dhe duhet të pranojmë që situata ekonomike në vend nuk është shumë e lehtë kështu që nuk mund të presim që të ketë ndryshime të mëdha brenda një kohe shumë të shpejtë. Reformat duhet ndërmarrë tani që të shohim efektet e tyre pas disa kohësh. Por kjo do të thotë se do të hidhen bazat për një të ardhme më të mirë për vendin”, vijoi ambasadorja çeke.
 
Duke garantuar mbështetjen në procesin e integrimit europiane të vendit, ambasadorja e Çekisë shpjegoi se më i rëndësishëm është procesi i përgatitjes për t’u bërë vend anëtar dhe i negociatave, periudhë gjatë së cilës Shqipëria do të përfitojë më shumë sipas saj.
 
“Nuk është aq e rëndësishme se kur bëhesh anëtar i BE-së me të drejta të plota, por është më i rëndësishëm procesi i parapërgatitjes për t’u bërë anëtar, një proces që rrit standardet e vendit, shtoi ajo. Do të ishte një parashikim më shumë se optimist nëse themi se Shqipëria do të bëhet një vend anëtar në BE brenda katër viteve të ardhshme, por sa më shpejt që të nisni negociatat për anëtarësimin do të vini re se impakti dhe efektet do të jenë shumë të prekshme në jetën e përditshme për secilin prej jush. Nuk ka rëndësi a quhesh vend anëtar apo jo, rëndësi ka nëse kanë filluar negociatat dhe implementimi i kapitujve. Pra nëse je në gjendje ti si vend të ndërtosh atë sistem vlerash me atë të BE-së”, deklaroi Tomasova.
 
Ndërkaq, Ambasadorja bëri me dije se të gjitha vendet e BE-së kanë të drejta të barabarta vote dhe u zotua se Republika Çeke do ta mbështesë Shqipërinë në këtë proces dhe në plotësimin e kushteve.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)