Ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca thotë se kushtet e vendosura për integrimin e Shqipërisë në BE janë përmbushur dhe ka ardhur koha për ta bërë atë hap.
"Evropa është këtu dhe këtu është Evropë! Tani po presim me padurim fillimin e bisedimeve të pranimit. Kushtet janë vendosur dhe janë përmbushur. Ka ardhur koha për ta bërë atë hap", shkruan Soreca.
Përmes një videoje ku tregon për Javët e Europës dhe udhëtimet prej 21 ditësh në disa qytete të vendit, ndërsa është ndalur edhe te integimi i Shqipërisë në BE, ka dhënë edhe një mesazh në gjuhën shqipe.
“Evropa është këtu dhe këtu është Evropë”, thotë Soreca i entuziazmuar në video.
Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka zhvilluar një udhëtim me autobus për 21 ditë nga Vermoshi në Konispol, ku ka ndaluar në çdo bashki, duke mbajtur takime, aktivitete apo edhe lojëra.
“E nisëm këtë udhëtim të jashtëzakonshëm me një frymë shprese dhe optimizmi, dhe kudo përgjatë këtij rrugëtimi gjetëm një entuziazëm dhe përgjigje që na kanë lënë pa fjalë në kaq shumë raste”, thotë mes të tjerash ambasadori në rrëfimin e tij të këtij turi në vendin tonë.