Kryesia e Kuvendit
TIRANË, 24 Shkurt/ATSH/.- Forcimi i rolit të Kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është qëllimi i një projektligji të depozituar në parlament, nismë e tre deputetëve, Majlinda Bregu (PD), Taulant Balla (PS) dhe Kejdi Mehmetaj (LSI).
Përcaktimi i rregullave në marrëdhëniet mes parlamentit dhe qeverisë, si dhe në marrëdhëniet me institucionet e BE-së në këtë proces, janë objekt i këtij pr/ligji, i përmbledhur në 23 nene. Drafti e shtrin veprimin mbi funksionet kryesore të Kuvendit që kanë të bëjnë me monitorimin e zbatimit të kuadrit ligjor për çështjet e integrimit, si dhe fondet financiare të ofruara nga BE.
Neni 6 i tij parashikon që Këshilli Kombëtar i Integrimit të jetë struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian që ngrihet pranë Kuvendit dhe që garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile, si dhe siguron rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit.
Këshilli Kombëtar, që drejtohet nga kryetari i komisionit të Integrimit, përbëhet nga krerët e komisioneve të përhershme; ministri i Integrimit; përfaqësues nga Presidenti, nga Kryeministri; Prokurori i Përgjithshëm; zv/kryetari i KLD-së, etj. Sipas nenit 10 të pr/ligjit, Kuvendi mbikqyr dhe kontrollon zbatueshmërinë e kuadrit ligjor në fushën e integrimit; monitoron punën e qeverisë në zbatimin e detyrimeve në këtë proçes; siguron përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian; shqyrton raportet/konkluzionet e BE-së dhe qëndrimet e Shqipërisë duke dhënë dhe rekomandime për to; bashkëpunon me PE-në etj. Gjithashtu, Kuvendi angazhohet edhe për vendosjen e dialogut të përshtatshëm politik ndërmjet palëve në proces; monitorimin e zbatimit të kuadrit rregullator për fillimin e negociatave/bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian; monitorimin e zbatimit të kuadrit rregullator të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë nga njëra anë dhe BE-së nga ana tjetër; forcimin e bashkëpunimit rajonal për çështjet e integrimit evropian, etj.
Këshilli i Ministrave me kërkesë të Kuvendit informon mbi punën e bërë pranë institucioneve të ndryshme të BE-së, veçanërisht për pr/marrëveshjet dhe konventat që duhen miratuar me BE-në; pr/aktet që kanë të bëjnë me angazhimet në traktatet e Bashkimit Evropian, me përjashtim të akteve administrative; projektaktet e të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin në mënyrë jo të drejtpërdrejtë dhe që janë të rëndësishme për palën shqiptare; projektaktet që kanë të bëjnë me përdorimin e fondeve të BE-së. /a.s//a.ke/