STOKHOLM - Suedia do të japë 400 milion euro në formë të ndihmës për vendet e Ballkanit për të kryer reformat e nevojshme si pjesë e integrimit në Bashkimin Europian. 

Sipas agjensisë Reuters, fondet do të ndihmojnë Shqipërinë, Bosnjë – Hercegovinën, Kosovën dhe Serbinë, ndërsa ndihmat do të ndikojnë në reformimin e gjyqësorit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për çështje të administratës publike.

Fondi i miratuar u paralajmërua nga ambasadori suedez në Sarajevë, Fredrik Schiller, sipas të cilit Serbia dhe Bosnja do të marrin fonde shtesë për përmbytjet. Ai nënvizoi se vetëm për Bosnjën do të sigurohen 100 milion euro nga Suedia. Ritmi i ngadaltë i reformave në Ballkanin Perëndimor dhe zbehja e entuziazmit në BE për zgjerimin e mëtejshëm, ka mbajtur këto vende prapa nga bashkimit me bllokun, shkruan Reuters. Ndërkohë Maqedonia është një nga vendet që është përjashtuar nga kjo ndihmë.

Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)