Integrimi/ Rama: Për herë të parë persona me pushtet politik janë në hetim apo të dënuar! S’ka rrugë tjetër përveç ‘martesës’ me BE, po negociojmë kushtet

TIRANË- Kryeministri Edi Rama i është rikthyer edhe njëherë hapjes së negociatave për grup-kapitullin e parë. Në Podcastin ‘Flasim’, kreu i qeverisë foli edhe për gjendjen shëndetësore për shkak të operacionit, ndërsa iu përgjigj edhe kritikave se Shqipëria nuk ka bërë progres.

Kryeministri thotë se që në fillimin objektivi i tij ka qenë që integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. Kreu i qeverisë nënvizoi se pavarësisht se politika e BE-së hera herës na ka mbyllur derën, Shqipëria nuk ka ndalur së bëri detyrat për të qenë gati kur momenti i përshtatshëm politik të vinte. Rama shprehet se ku rrugëtim ka dy korsi.

“Objektivi im që ditën e parë ka qenë 2030. Bashkimi me Europën është një rrugë me dy korsi: korsia e punës së përditshme të reformave, masave dhe vlerësimeve faktike dhe teknike që bëhen në Komisionin Europian dhe është korsia politike, sepse ajo është një familje politike që vendos përtej atyre që janë kritere objektive”, tha Rama.

Në veçanti, kreu i qeverisë u ndal tek kapitulli i gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit. E për të luftuar korrupsionin, Rama thotë se kjo qeveri ngriti SPAK dhe GJKKO dhe u ‘zhvesh nga imuniteti’. Për herë të parë që nga 1912, kryeministri thotë se kemi persona të lidhur me pushtetin politik, me qeverinë në fuqi apo nga ata që ishin në qeveri, që janë të akuzuar, të hetuar apo dënuar.

“Ca bëmë ne? Heqje dorë nga pushteti politik mbi gjyqësorin dhe krijimin e SPAK, GJKKO për të luftuar korrupsionin ne hapëm këmishën dhe u ekspozuam bashkë me gjithë të tjerët. Jemi në pushtet, por s’jemi të imunizuar. Për herë të parë në historinë e këtij vendi, nga 1912 deri më sot, për herë të parë kemi persona të lidhur me pushtetin politik, me qeverinë në fuqi apo nga ata që ishin në qeveri në një raport shumë më të zhdrejtë se ç’duhet të jetë, që janë hetuar, nën hetim, të akuzuar, të dënuar nga Gjykata të pavarura nga pushteti politik. Si qenka kjo që nuk paskemi bërë progres dhe paska korrupsion gjithandej.

Qeveria ka detyrën të shfrytëzojë mandatin e saj që të garantojë me mospërfshirjen e saj pavarësinë e gjyqësorit dhe të mbështesë përmes kuvendit fuqizimin e gjyqësorit, duke ndërmarrë reforma dhe masa. Ky proces nuk është ti tregojmë Brukselit, por ta ndërtojmë këtu BE. BE është brumi i vetëm i djes për shtet ndërtimin”, u shpreh Rama.

Për Ramën, Shqipëria nuk ka rrugë tjetër veçse ajo e integrimit në BE, pasi vetëm aty mund të garantohet liria individuale, ligjore dhe demokracia funksionale.

“Ka një gjë që është themelore. BE nuk është perfekt ka nevojë për t’u rimenduar në funksion të projektit, duhet thelluar. Ne në qindra vjet s’kemi pas mundësi të zgjedhim, për ne kanë zgjedh tjerët. Kemi kaluar nga perandori, nëpër regjime. Mundësia për të zgjedhur na erdhi kur ra muri i Berlinit. Kudo mund të ketë arsye për të parë që funksionojnë, por askund për ne, në asnjë drejtim, përveçse në BE nuk mund të ketë garanci në breza për lirinë individuale. Është hapësira e lirisë së garantuar individuale dhe kjo nuk negociohet, nuk bluhet dhe nuk shitet me asgjë.

E dyta për rendin ligjor, për atë që po përpiqemi ta ngremë për herë të parë në historinë një rend ligjor demokratik. Ka vështirësi dhe sot po shfaq dobësi edhe vetë në BE për shkak të ndryshimit të strukturë politike, partiake. Liria individuale, ligjore, të gjithë të barabartë para ligjit dhe një demokraci funksionale gjenden vetëm aty dhe vetëm në atë sofër mund ti garantosh”, tha Rama.

E ftuar në Podcatin ‘Flasim’ ishte edhe ministrja e shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Piredeni e cila foli për punën e bërë deri më tani për integrimin, ndërsa theksoi se tashmë kjo rrugë është e pakthyeshme.

“Ky proces është i pakthyeshëm. Lupa e Komisionit Europian ështe me rigoroze ndaj nesh që jemi jashtë BE për të parë nëse ne po ecim në drejtimin e duhur, nëse ne krijojmë një pushtet gjyqësor të pandikuar. Lufta kundër korrupsionit nuk i përket vetëm gjyqësorit, por edhe mekanizmave që ne kemi ngritur”, tha ministrja.

Kryeministri dhe ministrja e tij, e quajtën reformën në drejtësi si avantazhin më të madh që Shqipëria ka sot, si një detyrë e bërë paraprakisht, dhe e konsideruan komisionin e Fatmir Xhafajt për anti-korrupsionin, si domosdoshmëri për BE-në.

Me batuta preferoi Rama ta mbyllë bisedën duke thënë se “Jemi ulur në tryezë dhe po negociojmë kushtet e martesës, por që do martohemi kjo është e sigurt dhe do marrë fund”.

Shqipëria çeli më 15 tetor 2024 negociatat për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian. Konferenca e dytë ndërqeveritare u mbajt në Luksemburg, ku vetë përfaqësuesit e Brukselit bënë thirrje për përshpejtim të procesit. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama e konsideroi në ditë historike, por pa kursyer edhe këtë kritikat ndaj BE-së për zvarritjen e procesit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:24
Hapja e negociatave për grup-kapitullin e parë, Rama: Shqipëria, lider në rajon në fushën e prokurimeve publike

Shqipëria është lider në rajon në fushën e Prokurimeve Publike. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në podcastin ‘Flasim’ gjatë bashkëbisedimit me ministren e shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Piredeni.

Teksa po komentonte çeljen e negociatave për grupkapitullin e parë, kryeministri Rama u ndal veçanërisht tek Prokurimet Publike. Kryeministri Rama solli në vëmendje raportin e SIGMA-s, duke thënë se vlerëson se Shqipëria ka performancën më të lartë në rajon në prokurimet publike.

“Tek themeloret kemi gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë, sigurinë, statistikat kontrolli financiar dhe prokurimet publike. Unë e kam vërë një paraqitje më parë, por do të lë të flasësh, por këtu kam vetë një vlerësim të SIGMA e cila, vlerëson se Shqipëria ka sot performancën më të lartë në rajon në prokurimet publike”, tha Rama.

“Mënyra si vlerësohet Shqipëria është e qartë se bëhet përmes një lentie objektive, që ne s’kemi si ta ndikojmë përveçse duke paraqitur shifrat tona të cilat i nënshtrohen kontrollit nga KE, kanë sistem rigoroz për mënyrën se si verifikojnë të dhënat”, u shpreh Pirdeni.

Kryeministri theksoi se Shqipëria vlerësohet në këtë proces me 80 pikë, kundrejt 70.4 pikë Maqedonia e Veriut, 70 pikë Mali i Zi, 68 pikë Serbia, 56.5 pikë Kosova dhe 55 pikë Bosnjë- Hercegovina.

“Ka një sërë treguesish që flasin se çfarë transformimi është bërë në aspektin e hapjes së tregut, operatorëve etj. E them këtë sepse kjo nuk thuhet dhe këtu e gjithë vëmenndja përqendrohet te spektakli i gjysmë të vërtetave”, tha Rama.

Nga ana e saj, Pirdeni theksoi se realisht në fushën e prokurimeve Shqipëria është lider rajonal.

“Kjo edhe duke iu referuar dokumentit që Këshilli i BE-së publikoi jo më larg se 3 ditë më parë, ku në fushën e prokurimeve publike Shqipëria nuk ka piketa të ndërmjetme, pra nuk duhet të vërtetojë përgjatë procesit të negociatave që duhet të përmbushë detyrimet. Ka vetëm piketa mbyllëse për ta mbyllur këtë kapitull. Do të thotë që stadi i avancimit të Shqipërisë në këtë fushë është i konsiderueshëm”, tha Pirdeni.

Ora 10:23
Rama rrëfen peripecitë pas operacionit në QSUT: Të nesërmen duhet të rrija në këmbë për të pritur 'sulltanin'

 

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për ndërhyrjen kirurgjikale që kreu në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për hernien inguinale, duke rrëfyer peripecitë që iu desh të kalojë.

Në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se duhet të qëndronte 3 ditë pushim, por e kishte të pamundur pasi duhet të priste presidentin turk Erdogan në Tiranë dhe më pas të udhëtonte drejt Hungarisë dhe në Luksemburg për të hapur grup-kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Për arsye shëndetësore, kryeministri Edi Rama thotë se e ka pasur të pamundur të jetë në studiot televizive për të treguar se sa e rëndësishme ishte data 15 tetor, kur Shqipëria dhe BE-ja hapën kapitujt negociues për çështjet themelore.

"Podcasti flasim vjen në javën më të rëndësishme të të gjithë mandateve të qeverive të mia. Në javën kur Shqipëria e ka kapërcyer vargmalin e pengesave që i dolën para dhe është ulur në tryezë me 27 vende të BE të përfaqësuara nga KE për të negociuar anëtarësimin. Uljen përfundimtare në sofrën e bashkuar europiane, një ëndërr shumë shekullore në formën e vështrimit nga Perëndimi, shumë e mundshme në formën e vështrimit nga horizonti i penguar i detit dhe shumë sfiduese në formën e një rrugë 30 e disa vjeçare në përpjekje për t’u ngjitur në atë majë ku tani më besoj se rruga duket, tatëpjeta është ende e lartë por edhe afati është i përcaktuar, Shqipëria 2023.

Duke qenë se mu desh të kaloja një ndërhyrje kirurgjikale dhe pastaj të marr rrugët kundrës shkencës, duhej të qëndroja të paktën 3 ditë pushim, por ishin 3 ditë komplet të pamundura, të nesërmen duhej të rrija në këmbë të prisja sulltanin që vinte nga Lindja, pastaj duhej të të nisesha të nesërmen për të marrë rrugët për të shkuar në Hungari për të takuar mikun tim që është kryeministri i vendi që ka presidencën e BE, për ta falënderuar për ata që bëri Hungaria për këtë shtysë të fundit dhe pastaj duhet të shkonim së bashku për të ulur në atë sofër si të barabartë. Kjo bëri që në efektin e disa injeksioneve shumë të forta që kishin si pasojë qëndrimin pa gjumë, për të shmangur dhimbjet, kam shëtitur pas shumë vitesh nëpër ekrane. Unë nuk i ndjek debatet televizive, portalet, marr rezyme shumë të shkurtra, por kam pamundësi fizike që të mund të jem në gjendje për punë po të ndjek të gjithë atë lemeri. Nga çfarë pashë nëpër ato insertet, kuptova që është e nevojshme që publiku të informohet se ka një mjegull, keqkuptim, mllefe", tha Rama. 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari