Ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali thotë se integrimi i Shqipërisë në BE, ka qenë gjithmonë dëshira për të ndërtuar një shtet të drejtë dhe demokratike. Ndërsa nesër në Bruksel do të mbahet konferenca e 8 ndërqeveritare për nisjen e procesit të mbylljes së kapitujve, deputetja e PS shkruan në rrjete sociale se kjo rrugë mbetet një nga arritjet më të mëdha historike të shtetit shqiptar.

Postimi i Elisa Spiropalit

Dita e Europës për Shqipërinë

Nesër Shqipëria hyn në një fazë të re të rrugës së saj europiane, me hapin e parë drejt mbylljes së negociatave me Bashkimin Europian, një moment që nuk ka ardhur rastësisht, por pas një rruge të gjatë përpjekjesh, përplasjesh, pritjesh, durimi dhe një besimi të vazhdueshëm se vendi ynë i përket natyrshëm familjes europiane.

Për Shqipërinë, Europa nuk ka qenë kurrë vetëm projekt politik apo diplomatik. Ka qenë dëshira për të ndërtuar një shtet më të drejtë e më demokratik, institucione më të forta, ekonomi më konkurruese dhe një shoqëri ku të rinjtë nuk e shohin të ardhmen vetëm jashtë vendit. Prandaj ky proces nuk lidhet vetëm me hapjen apo mbylljen e kapitujve teknikë të negociatave, por me atë çfarë do të thotë të jetosh si qytetar europian, me më shumë siguri juridike, më shumë drejtësi, më shumë standarde për ekonominë, më shumë lëvizje të lirë, më shumë besim për investimet dhe më shumë mundësi për brezat që vijnë.

Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është vetëm pasaportë europiane në kuptimin formal. Është hyrje në një hapësirë ku ligji, konkurrenca, liria dhe dinjiteti i qytetarit kanë një tjetër peshë. Dhe për një vend si Shqipëria, që për dekada e ka parë Europën si horizont shprese dhe normaliteti, kjo rrugë mbetet një nga arritjet më të mëdha historike të shtetit shqiptar.

Por pikërisht sepse jemi pranë këtij momenti, Shqipërisë i duhet më shumë se entuziazëm. I duhet qartësi. I duhet guxim politik dhe qytetar. I duhet një platformë e saktë shtetërore dhe shoqërore për Shqipërinë europiane që duam të ndërtojmë, një vizion i detajuar për institucionet, drejtësinë, ekonominë, arsimin, administratën dhe lirinë, që vendi të mos hyjë në Europë i befasuar nga standardet e saj, por i përgatitur për to me vetëdije të plotë.

Dita kur Shqipëria do të ndezë fishekzjarret e anëtarësimit nuk duhet të jetë fundi i një rruge, por duhet të jetë dita kur Shqipëria është gati, pa frikë dhe pa improvizim, të ulet natyrshëm në tryezën e konfederatës së kombeve europiane.


Lajmi kryesor:

Integrimi/ Rama në Bruksel, nesër konferenca e 8-të ndërqeveritare! Nis procesi i mbylljes së kapitujve me BE-në