Integrimi/ Pakti Balla-Bregu, në 
komision duam vetëm ministra

Integrimi/ Pakti Balla-Bregu, në <br />komision duam vetëm ministra
TIRANE- Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, vendosën dje unanimisht në mbledhjen e komisionit parlamentar për Integrimin Europian, që të mos pranojnë në komision asnjë nivel tjetër përfaqësimi, përveç ministrit dhe zv/ministrit. Kryetarja e komisionit, Majlinda Bregu dhe nënkryetari socialist, Taulant Balla, falë edhe dakordësisë së të gjithë anëtarëve të komisionit, janë dakordësuar që raportimet në këtë komision, propozimet dhe mbrojtjet e pr/ligjeve të qeverisë, t’i bëjnë vetëm ministrat dhe zv/ministrat.

Gjatë mbledhjes së djeshme, komisioni parlamentar për Integrimin Europian “refuzoi” Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës, Eduart Seitaj dhe Drejtorin e Kabinetit të Ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike, Lorin Ymeri, duke thërritur ministrat ose zv/ministrat në komision.   

Mbledhja
Komisioni për Integrimin Europian kishte dje në rendin e ditës shqyrtimin e projektligjit për aderimin e Shqipërisë në Konventën MLC të Organizatës Ndërkombëtare të Punës si dhe projektligjin për Identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara. Ndonëse marrëveshja e parë u miratua nga komisioni, pas arsyetimit të nënkryetarit të komisionit, Taulant Balla, se nuk është projektligj, por një konventë aderimi, për projektligjin e dytë, komisioni thërriti në mbledhjen e ardhshme, ministren për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito.

“Përfaqësimi në këtë komision është në nivel ministri dhe zv/ministri për të propozuar projektligjet. Ne kemi vendosur një rregull dhe kemi rënë dakord të gjithë bashkë, që nuk do të pranonim në komision për shprehjen e projektligji, Sekretarin e Përgjithshëm të institucionit. Gjë për të cilën është dakord edhe z.Balla”, u shpreh deputetja e PD. Të njëjtin argument dha edhe nënkryetari i komisionit, Taulant Balla, por kërkoi që komisioni të bënte një përjashtim, të paktën për nismën e Ministrisë së Transporteve.

“Meqenëse është vetëm një aderim në Konventë dhe jo projektligj, unë mendoj se do të ishte mirë që ta kalonim”, u shpreh Balla. Ai shtoi gjithashtu se kjo është hera e fundit që një mbledhje e komisionit vazhdon pa praninë e ministrit apo zv/ministrit.

Mbledhja e djeshme e Komisionit Parlamentar të Integrimit, përveç refuzimit të përfaqësimit të ministrive nga nivelet e dyta, është përfshirë edhe nga batutat. Ishte Edi Paloka, kryetari i grupit të PD, që i nxitur nga “provokimet” e ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito në dy seancat e fundit, i kërkoi asaj, përmes shefit të kabinetit, që të mos harrojë kufjet gjatë seancës së sotme. “I thuaj të marrë kufjet me vete ministrja nesër në seancë”, ishte batuta e Palokës që shkaktoi të qeshura mes anëtarëve të komisionit.
 
Debatet në komision, Batuta e Palokës: Harito të mos harrojë kufjet sot në Kuvend 
 

Majlinda Bregu: Ne kemi vendosur një rregull dhe kemi rënë dakord të gjithë bashkë, që nuk do të pranonim në komision për shprehjen e projektligji, Sekretarin e Përgjithshëm të institucionit. Përfaqësimi është në nivel ministri dhe zv/ministri.

Eduart Seitaj: Zv/ministri ndodhet në mbledhjen e qeverisë. Erdha në respekt të komisionit.
Majlinda Bregu: Asgjë personale me ju. Është procedurë parlamentare dhe një vendim që komisioni i Integrimit ka marrë.
Taulant Balla: Bie plotësisht dakord me atë çka thatë më sipër. Ne kemi rënë dakord dhe kjo është tashmë një praktikë që ne e kemi vendosur tashmë.

Majlinda Bregu: Për projektligjin për “Identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, merr pjesë Drejtori i Kabinetit.
Taulant Balla: S’ka zv/ministër, pasi është Ministër Shteti.

Majlinda Bregu: S’do të thotë se dhe ne e mbajmë mend organigramën e qeverisë tuaj.
Esmeralda Shkjau: Qeverisë tonë.

Majlinda Bregu: Me sa pakënaqësira keni ju me njëri-tjetrin nuk do të thotë se ne jemi të detyruar të gjejmë edhe kiminë mes jush.
Gerti Bogdani: Për projektligjin e Identifikimit Elektronik, duhet të vijë vetë ministrja në këtë komision.

Lorin Ymeri: Ju kërkoj ndjesë për mungesën e ministres, por është në mbledhjen e qeverisë.
Edi Paloka, Shefit të Kabinetit: I thuaj të marrë kufjet me vete ministrja nesër.
Majlinda Bregu: I thuaj që e presim edhe në Komision. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Liga e Kombeve/ Deschamps lë jashtë Francës sulmuesin Kylian Mbappe

Liga e Kombeve/ Deschamps lë jashtë Francës sulmuesin Kylian Mbappe