Integrimi, Sanino: Ruani
ritmin e reformave

Integrimi, Sanino: Ruani <br />ritmin e reformave
TIRANE- Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian Stefano Sannino i bëri thirrje klasës politike shqiptare të ruajë ritmin e reformave në vend. Këtë deklaratë zyrtari i KE-së e bëri për mediat pas takimit me zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto.

“Dhe unë ndaj të njëjtin mendim me ministrin dhe shkëmbyem mendime mbi hapat që duhet të ndërmerren për integrimin e vendit. Kur isha herën e fundit u finalizua marrëveshja mes partive që solli nisjen e punës për reformën zgjedhore, atë mbi rregulloren e parlamentit dhe për ligjet me 3/5. Ndërkohë ka ndodhur emërimi i Avokatit të Popullit, që është i pranuar nga të gjitha palët”, tha Sannino.

Drejtori për Zgjerimin në KE i bëri apel klasës politike që të vijojnë bashkëpunimin dhe dialogun politik për të ecur përpara në procesin integrues, që siç tha ai duhet të jetë gjithpërfshirës.

“Duhet të vijojë bashkëpunimi dhe theksoj se procesi integrimit duhet të jetë gjithpërfshirës pasi vetëm kështu mund të çohet përpara axhenda e integrimit të vendit. Ky ishte qëllimi i vizitës sime, dhe njëkohësisht do të kem takime të tjera me Komitetin e Integrimit, në mënyrë që të vijojë përmbushja e prioriteteve të Shqipërisë dhe që ky proces të bëjë përpara”, nënvizoi Sannino.

Ndërkohë, kryediplomati Edmond Haxhinasto në prononcimin e tij të shkurtër deklaroi se integrimi i vendit është prioritet i qeverisë shqiptare dhe qëndron mbi çdo axhendë të vendit.

SEMINARI PËR INTEGRIMIN
Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Evropian Stefano Sannino mori pjesë në seminarin e mbi forcimin e parlamentarizmit dhe integrimin europian që po mbahet në Tiranë nën kujdesin e Ministrisë së Jashtme italiane, ku përsërtiti apelin për klasën politike shqiptare, që të angazhohen në përmbushjen e rekomandimeve dhe në forcimin e funksionimit të parlamentarizmit, si një shtyllë kryesore për integrimin e vendit në familjen europiane.
Gjatë seminarit që nisi me fjalën e ambasadorit italian Massimo Gaiani, ky i fundit garantoi mbështetjen e Italisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Mbi funksionimin e parlamentit foli edhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila bëri me dije se javën e ardhshme do të nisë shqyrtimi i ndryshimeve në Kodin Penal dhe Kodin Civil si dhe shqyrtimi i projektligjit mbi Gjykatat Administrative.

“Shpresoj që javën e ardhshme deputetët do të marrin seriozisht nën shqyrtim projektligjin mbi Gjykatat Administrative, që i shërben biznesit dhe qytetarëve. Në asnjë rast në tetë vite nuk më ka ndodhur kurrë që të mos miratohen ligje që i përkasin procesin të integrimit”, tha Topalli.



BRUKSELI I SHQETESUAR PER HAPAT E NGADALTE
Vizita e Saninos ndodh rreth 4 muaj e gjysëm pas publikimit të progres raportit ku Shqipërisë për të dytën herë iu refuzua statusi vendit kadidat, dhe e dyta pas 9 nëntorit të 2012.
Burime diplomatike i thane dje Top-Channel se vizita e Saninos është e lidhur me shqetësimin e Brukselit për hapat e ngadaltë në përmbushjen e 12 prioriteve nga të cilat është përmbushur vetëm një që ishte emërimi Avokatit të Popullit.

Dy janë cështjet, pohojnë të njëjtat burime, se ku do të përqëndrohet biseda e Saninos me kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama: Reforma Zgjedhore që ka nisur dhe ngadalësia me të cilën po ecën ky komision përfshi atë të reformës parlamentare, ku ende palët nuk kanë një dakordësi për ndryshimet e kërkuara.

Gjithashtu në axhëndën e Saninos do të jetë diskutimi cështjes së luftës kundër korrupsionit pas vendimit të gjykatës për cështjen “Meta” për të cilën Brukseli është shprehur se është mbajtur shënim dhe vlerësimi do të jepet në progres raportin e ardhshëm.

Hartuesit e vizitës së Drejtorit të Përgjithshëm të Integrimit në Komisionin Europian, jo pa qëllim kanë përfshirë në axhëndë edhe ndjekjen e seancës së radhës nga Sanino të mbledhjes së Komisionit të Integrimit.

(sg/aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ 'Bad Spin 3', kontrolle në disa subjekte, arrestohen 4 persona pasi luanin baste sportive online

Tiranë/ 'Bad Spin 3', kontrolle në disa subjekte, arrestohen 4 persona pasi luanin baste sportive online