TIRANE- Muaji qershor pritet që të jetë një muaji i rëndësishëm për shqiptarët, kjo pas dhënies së vlerësimit të radhës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.

Në dhjetor pavarësisht vlerësimit pozitiv të Komisionit Europian, Hollanda, Franca, Gjermania, Anglia e Danimaraka votuan kundër marrjes së statusit, duke e vënë theksin te plotësimi i pesë pikave kryesore. Që nga ai moment ministrat përgjegjës të qeverisë për statustin ai i Intergrimit dhe minstrja e Jashtme deklaruan se do të përmbushin kushtet e lëna nga KE.

Por nga ana e saj mazhoranca me caktimin e krerëve të grupeve të miqësisë mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Parlamenteve të shteteve të tjera ka zgjedhur deputetët me një karrierë të gjatë në jetën politike, pse jo dhe me një imazh pozitiv nga votuesit. Konkretisht delegacionet parlamentare shqiptare për në Mbretërinë e Bashkuar do t`i udhëheqë Ben Blushi, me Gjermaninë delegacioent do të drejtohen nga nënkryetari i grupit të PS, Taulant Balla, me Francën deputetja Mimoza Hafizi si dhe me Hollandën deputeti Eduard Shalsi.

Ndërkohë që sipas informacioneve pritet që shumë shpejt dy ministritë përkatëse do të zhvillojnë edhe një tur takimesh në këto vende, ku pritet që të bindin skeptikët në përmbushjen e kushteve të kërkuara nga BE. “Gjithçka mund të ndodhë, nuk mund të them që Shqipëria do marrë statusin në qershor. Përsa u përket ekstremistëve, gjithmonë ka ekzistuar dhe do të vazhdojnë të ekzistojë. Janë forca lobuese me një nivel shumë të lartë brenda vendeve anëtare dhe ato japin mendimin e tyre dhe vazhdojnë të forcojnë mendimin e tyre për zgjerimit dhe politikës mbi Shqipërinë. Megjithatë nuk na ndalon për të vazhduar me vendosmëri atë që kemi nisur”, është shprehur dje ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha.

Ajo thekson se reforma territorial-administrative dhe ajo në drejtësi, duhet të kenë dhënë sinjalet e para të suksesit brenda prillit, në mënyrë që BE- të ketë një bazë mbi të cilën të japë vlerësimin në qershor. Ende për këto pika ekziston një konsensus i munguar mes palëve, ku nga ana e saj opozita nuk ka ofruar asnjë emër për anëtarë të komisionit të posaçëm që është ngritur me vendim të Kuvendit për zbatimin e ndarjes së re territoriale. Ndërkohë që një tjetër çështje që është pretenduar jo vetëm nga opozita, por edhe nga faktori ndërkombëtarë, është pikërisht zgjidhja e ligjit për nëpunësin civil. Pritet tashmë verdikti i Parlamentit pas propozimit të ndryshimit të disa prej neneve të aktit normativ të qeverisë, që u rrëzua pak kohë me vendim të Gjykatës Kushtetuese. 


Shkrimi u publikua sot (16.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)