Inteligjenca amerikane ka insistuar se balona që rrëzuan të shtunën ishte përdorur nga ushtria kineze për spiunim. Zyrtarë të paidentifikuar i thanë Washington Post se besojnë se balona të tillë janë përdorur për të mbledhur informacione të inteligjencës dhe strategjike në territoret e rëndësishme.
Aty përfshihen Japonia, India, Tajvani dhe Filipinet. Zyrtarët kinezë veçse kanë mohuar se përdorin balona të tillë për vëzhgim. Një zyrtar i tha Washington Post se komuniteti amerikan i inteligjencës beson se disa prej balonave ishin nisur nga Hainan, një ishull kinez ku gjendet një bazë ushtarake detare.
Duke cituar një zyrtar të lartë, të paidentifikuar, të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, CBS News ka konfirmuar se komuniteti i inteligjencës në SHBA beson se baloni ishte pjesë e “programit të vëzhgimit që udhëhiqet nga Ushtria për Çlirimin e Popullit në Hainan”.
Të hënën, SHBA-ja informoi 40 shtete aleate lidhur me spiunazhin e supozuar, konfirmoi një zyrtar i administratës amerikane për CBS News. Gjatë këtyre takimeve, nënsekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, po ashtu zbuloi se një balon kishte fluturuar rreth planetit më 2019, duke udhëtuar mbi Havaji dhe Florida.
Sipas zyrtarit të administratës së Bidenit, një grup i liderëve të Kongresit amerikan, që mbikëqyr çështjet e inteligjencës kombëtare, do të informohet për këto zhvillime më 8 shkurt dhe Kongresi një ditë më pas. Javën e kaluar, Pentagoni tha se një balonë e dytë kineze ishte hasur mbi Kosta Rika dhe Venezuelë.
Zbulimi i balonave, që dyshohet se përdoren për spiunazh, shkaktoi tensione diplomatike midis SHBA-së dhe Kinës. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shtyu vizitën e planifikuar për Pekin, që ishte paraparë të ndodhte disa ditë pasi u zbulua balona e parë. Ky do të ishte udhëtimi i parë i një kryediplomati amerikan në Kinë për shumë vjet.
“Kjo është e papranueshme dhe njëherësh është veprim i pandërgjegjshëm”, tha ai. “Është edhe më e pandërgjegjshme pasi ndodhi në prag të vizitës së planifikuar shumë kohë më parë”, shtoi ai.
Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes më herët kishin thënë se të paktën tri balona të spiunazhit kinez kishin fluturuar mbi shtet gjatë kohës kur Donald Trump ishte president i SHBA-së. Sipas zyrtarëve amerikanë, balona u rrëzua mbi Alaskë dhe Kanada, pasi ishte pikasur duke fluturuar mbi Montana, që është shtëpi e një numri të ndërtesave të ndjeshme bërthamore.
Në fillim të javës, marina amerikane ka publikuar edhe fotografi të balonës së rrëzuar. Besohet se ajo ishte pothuajse 60 metra e gjatë dhe zyrtarët thanë se mbetjet e saj, pasi u rrëzua, u shpërndan në një perimetër prej 11 kilometrash në Oqeanin Atlantik./REL
Kina ka refuzuar një telefonatë me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin pasi SHBA rrëzoi balonën kineze për të cilën pretendon se përdorej për spiunazh. Pentagoni bëri kërkesën për një telefonatë me ministrin kinez të Mbrojtjes Wei Fenghe.
"Fatkeqësisht Kina e refuzoi kërkesën tonë. Angazhimi ynë për të hapur linjat e komunikimit do të vazhdojë," tha zëdhënësi Ryder.