Inteligjenca Artificiale ekspozon nevojën e balancës mes inovacionit dhe rreziqeve

Inteligjenca Artificiale ekspozon nevojën e balancës mes  inovacionit dhe rreziqeve

Shtatë kompanitë më të mëdha të teknologjisë së fundmi ranë dakord të përmbushin një sërë masash kontrolli jodetyruese të propozuara nga Presidenti Joe Biden për të zhvilluar teknologjitë e tyre të inteligjencës artificiale në një mënyrë të sigurt dhe transparente.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh i hedh një vështirim parimeve me të cilat këto kompani kanë rënë dakord. Por sa realiste janë zotimet e tyre?

“Kompanitë e kanë për detyrë të sigurohen që teknologjia e tyre të jetë e sigurt, përpara se t’ia vënë në dispozicion publikut”.

Kjo ishte një nga kërkesat kryesore të presidentit amerikan, Joe Biden për kompanitë që po zhvillojnë projekte me Inteligjencë Artificiale.

Gjigantët e teknologjisë Amazon, Google, Meta dhe Microsoft janë pjesë e një grupi prej shtatë kompanish që premtuan të zbatojnë masat mbrojtëse të Inteligjencës Artificiale të paraqitura nga Shtëpia e Bardhë.

“Ky angazhim, të cilin kompanitë do ta zbatojnë menjëherë, kanë si bazë parimet themelore: siguri dhe besim”, thotë presidenti Biden.

Disa nga parimet që kompanitë janë zotuar t’i zbatojnë janë mjaft praktike, thotë David Broniatowski profesor në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin ‘George Washington’.

“Për shembull, zbatimi i vendosjes së shenjave identifikuese në projektet e mëdha si ChatGPT është lehtësisht i realizueshëm. Këto shenja ndër të tjera do të ndihmonin njerëzit që të kuptonin nëse lajmet që shohin në internet janë prej një burimi të saktë apo prej një burimi pak të besueshëm”, thotë profesor David Broniatowski nga Universiteti ‘George Washington’.

Katër gjigantët e teknologjisë, së bashku me krijuesin e projekteve të Inteligjencës Artificiale ‘ChatGPT’, ‘OpenAI’ dhe kompanitë e reja si ‘Anthropic’ dhe ‘Inflection’, janë zotuar se do të pranojnë që verifikimi i sigurisë së projekteve të tyre të kryhet pjesërisht nga ekspertë të pavarur. Kjo do bëhet me qëllim për t'u mbrojtur nga rreziqet kryesore, përfshirë biosigurinë dhe sigurinë kibernetike, tha Shtëpia e Bardhë.

Kompanitë e mëdha dhe ato më të vogla të teknologjisë do të duhet të gjejnë balancën mes rrezikut dhe inovacionit në lidhje me Inteligjencën Artificiale.

“Ne nuk mund ta lëmë zhvillimin e inteligjencës artificiale të kontrollohet vetëm nga sektori privat”, thotë bashkëthemeluesi i kompanisë së re teknologjike ‘Anthropic’, Jack Clark.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Qeveritë e botës duhet të bashkohen, të zhvillojnë kapacitetet shtetërore dhe ta bëjnë zhvillimin e sistemeve të fuqishme të Inteligjencës Artificiale një përpjekje të përbashkët në të gjitha pjesët e shoqërisë, në vend që të diktohet vetëm nga një numër i vogël firmash që konkurrojnë me njëra-tjetrën në treg”, tha më tej zoti Clark.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë angazhohet për avancimin e teknologjisë së përgjegjshme të Inteligjencës Artificiale në SHBA, administrata e presidentit Biden thotë se do të bashkëpunojë gjithashtu me partnerët e saj ndërkombëtarë për një kornizë të përbashkët për të zbatuar rregulla për zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale./ VOA/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi