Pikërisht në ditën kur ka marrë vesh se nuk do të jetë me kombëtaren argjentinase, Mauro Icardi ka shpërthyer tek Inter, duke shënuar plot 4 gola në fitoren e thellë 5-0 ndaj Sampdorias në transfertë. Një sukses që e ngjit Inter në vendin e katërt, duke parë i qetë ndeshjet e rivalëve për Champions League, Roma e Lazio, që do të luajnë përkatësisht ndaj Crotone-s në transfertë dhe Bologna-s në shtëpi.

Ishte Perisiç që kaloi zikaltrit në avantazh në minutën e 26-të. Pastaj vijnë 3 gola radhazi të Icardi-t për 14 minuta, i pari me 11-metërsh. Mbyllet 0-4 pjesa e parë dhe Inter mposht Sampdoria-n pa vështirësi. Në të dytën, sërish Icardi shënon në minutën e 51-të dhe më pas zëvendësohet nga Eder në 66-n, kur misioni i tij kishte përfunduar.
Icardi ngjitet në kuotën e 22 golave në Serie A, 2 më pak se Immobile i Lazio-s.

 

a.m/Shqiptarja.com